Atentat në Elbasan, vritet 41-vjecari/ Viktima Everest Çaka. Plagoset bashkëshortja. Me herët i ishte vrarë vëllai dhe kushëriri

12/05/2021 01:01

Një breshëri arme zjarri i ka marrë jetën mbrëmjes e së martës në Elbasan 41-vjeçarit Everest Çaka ndërsa e plagosur ka mbetur bashkëshortja e tij Silvana Çaka.

Një vrasje e stilit mafioz ku të gjitha pistat të çojnë në një larje hesapesh dhe hakmarrje të mundshme, duket se lidhet me disa pista ku familja Çaka ishte e përfshirë. Disa vite më parë vëllai i Everest Çakës u vra në Itali. Në atë kohë u dyshua se autori i vrasjes ishte një person i njohur me pseudonimin Nel Çami. Pas pak kohësh familja Mahmuti, (Familja e Nel Çamit) prej 4 personash u vranë në Elbasan. Ngjarja ndodhi në vitin 2011, i vetmi i shpëtuar Nel Çami rezulton i zhdukur që prej asaj kohe.

Vrasësi u cilësua misterioz, por u dyshua se autor mund të ishte Everest Çaka në shenjë hakmarrje për vrasjen e vëllait të tij. Dyshime të cilat nuk u faktuan kurrë. Në vrasjen e vitit 2011 mbetën të vrarë 2 vëllezërit e Nel Çamit, babai i tij dhe nusja e shtëpisë. Por kjo duket se nuk do të jetë pista e vetme që do të ndjekë policia.

Vrasja e Everest Çokut mund të ketë lidhje edhe me vrasjen e djalit të hallës , Arjan Spahiu i cili u vra në Belgjikë në nëntor të vitit 2020. Spahiu ishte i dyshuar si autor i vrasjes së Gëzim Alikajt disa vite më parë, edhe kjo një ngjarje e mbetur mister.

Ekzekutimi i Spahiut në Belgjikë solli në Elbasan pak ditë më parë një grup hetuesish dhe prokurorësh belg. Hetuesit belg kryen takime me zyrtarë të lartë të Policisë e Prokurorisë për të marrë informacione mbi Arjan Spahiun. Duket se të gjitha pistat rreth vrasjes së 41-vjeçarit në Elbasan të çojnë në larje hesapesh, ndërkohë policia e Prokuroria janë duke vijuar hetimet.

Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen Skëndërbej teksa çiftit që udhëtonte me makinë ju bë pritë dhe u qëlluan disa herë. Duket se vrasësi ka pasur shenjestër të saktë përderisa bashkëshortja e Çakajt mori vetëm një plumb në dorë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Top Channel