Aksidenti ku vdiq “Xubi i Yzberishtit”, arrestohet drejtuesja e “Toyota Yaris”

12/05/2021 09:52

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi u shënua ditën e djeshme në Bulevardin e Ri, në Yzberisht.

Dy automjete u përplasën me një motor dhe për pasojë humbi jetën drejtuesi i motorit, i identifikuar si Fatmir Avdillari, 45 vjeç.

Policia njofton se ka arrestuar drejtuesen e “Toyota Yaris”, shtetasen me inicialet A.M., 39 vjeçe, e cila u dërgua në spital ditën e djeshme për të marrë ndihmë mjekësore.

“Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetases A. M., 39 vjeçe, pasi ditën e djeshme është përfshirë në një aksident me mjetin motor me drejtues shtetasin F. A., i cili për pasojë ka ndërruar jetë në vendngjarje”, thuhet në njoftimin e policisë.

Viktima e këtij aksidenti konsiderohej si një ndër “të fortët” e Yzberishtit, por edhe të Selitës. Së bashku me vëllain e tij, Ilir Avdillarin dhe disa persona të tjerë kanë qenë të njohur si anëtarë të “Bandës së Yzberishtit” në vitet ’97-’98, të akuzuar për shumë vepra penale, mes të tjerash edhe vrasje.

I njohur ndryshe si “Xubi”, Fatmir Avdillari kishte vetëm një vit që kishte dalë nga burgu, pasi shleu dënimin prej 12 vitesh për vrasje, kur u arrestua sërish për vrasje në vitin 2009 nga Policia e Tiranës.

Një vit pasi doli nga burgu, Fatmir Avdillari u arrestua për vrasjen e Ardian Tahirit, ngjarje e ndodhur më 11 prill 2009, që sipas Policisë ishte kryer për hakmarrje. Policia deklaronte zyrtarisht se Fatmir Avdillari ka pasur dyshime se Ardian Tahiri i kishte vrarë vëllain, Fiqiri Avdillarin, në Athinë.

Vëllezërit janë akuzuar edhe për shumë veprat të tjera penale, mes të cilave renditet edhe shitja e lëndëve narkotike në zonën e Kombinatit, Yzberishtit dhe Kasharit, ku edhe banda vepronte.

Top Channel