Top Channel ka siguruar pamjet e momentit të aksidentit ku mbeti i vdekur Fatmir Avdillarit, i njohur si “Xubi i Yzberishtit”.
Në video vërehet se si makina tip “Toyota Yaris” kthehet majtas, ndërkohë që pas saj me shpejtësi të madhe vjen motori me të cilin udhëtonte Fatmir Avdillari.
Aksidenti ndodhi në bulevardin “Migjeni” në Yzberisht një ditë më parë, ku mbeti i vdekur 45-vjeçari , personazh i njohur për institucionet ligjzbatuese në vend.
Drejtuesja e “Toyota Yaris” me iniciale A.M., 39 vjeçe, u dërgua në spital ditën e aksidentit për të marrë ndihmë mjekësore dhe më pas është arrestuar.
“Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetases A. M., 39 vjeçe, pasi ditën e djeshme është përfshirë në një aksident me mjetin motor me drejtues shtetasin F. A., i cili për pasojë ka ndërruar jetë në vendngjarje”, thuhet në njoftimin e policisë.
Viktima e këtij aksidenti konsiderohej si një ndër “të fortët” e Yzberishtit, por edhe të Selitës. Së bashku me vëllanë e tij, Ilir Avdillarin dhe disa persona të tjerë kanë qenë të njohur si anëtarë të “Bandës së Yzberishtit” në vitet ’97-’98, të akuzuar për shumë vepra penale, mes të tjerash edhe vrasje.
I njohur ndryshe si “Xubi”, Fatmir Avdillari kishte vetëm një vit që kishte dalë nga burgu, pasi shleu dënimin prej 12 vitesh për vrasje, kur u arrestua sërish për vrasje në vitin 2009.
Një vit pasi doli nga burgu, Fatmir Avdillari u arrestua për vrasjen e Ardian Tahirit, ngjarje e ndodhur më 11 prill 2009, që sipas Policisë ishte kryer për hakmarrje.
Policia deklaronte zyrtarisht se Fatmir Avdillari ka pasur dyshime se Ardian Tahiri i kishte vrarë vëllanë, Fiqiri Avdillarin në Athinë.
Vëllezërit janë akuzuar edhe për shumë veprat të tjera penale, mes të cilave renditet edhe shitja e lëndëve narkotike në zonën e Kombinatit, Yzberishtit dhe Kasharit, ku edhe banda vepronte.
Top Channel