Incidenti në minierë/ Ministria e Infrastrukturës sqaron: Nuk ka shembje dhe as minatorë të bllokuar! Mekaniku humbi ndjenjat sepse…

11/05/2021 14:48

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Bulqizë, ku është çliruar gaz nga gjeneratori brenda minierës së Martaneshit. Policia njoftoi se ishin asfiksuar tre persona, të cilët janë nxjerrë nga galeria dhe janë dërguar me urgjencë në spital.

Ndërkohë në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila sqaron se gjatë saldimit në nëntokë të një vagoni mineralesh është çliruar gaz nga gjeneratori i përdorur dhe si rrjedhim një mekanik 45 vjeç ka humbur ndjenjat.

Fatmirësisht prezent në vendin e ngjarjes, në një distancë më të largët kanë qenë edhe 3 punonjës të tjerë, të cilët i kanë ardhur në ndihmë kolegut të tyre duke e nxjerrë jashtë galerisë.

Ai është dërguar me helikopter në drejtim të Tiranës, për të marrë ndihmën mjekësore, ndërkohë që punonjësi tjetër është dërguar në spitalin e Bulqizës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë:

Në datë 11 maj 2021, rreth orës 12:30, në galerinë Nr.1240, Zona e Re Batër, Qarku Dibër, e cila shfrytëzohet nga shoqëria “Xhireton” shpk, me Leje minerare nr. 479/2, ka ndodhur një aksident.

Nga të dhënat paraprake të inspektimit të vendngjarjes, rezulton se gjatë saldimit në nëntokë të një vagoni mineralesh është çliruar gaz nga gjeneratori i përdorur dhe si rrjedhim mekaniku SH.D., 45 vjeç ka humbur ndjenjat. Pranë tij ka qenë edhe një punonjës tjetër, i cili gjithashtu ka pasur shqetësime.

Prezent në vendin e ngjarjes, në një distancë më të largët kanë qenë 3 punonjës të tjerë, të cilët u kanë ardhur në ndihmë kolegëve të tyre, duke e nxjerrë SH.D., jashtë galerisë. Ai është dërguar me helikopter në drejtim të Tiranës, për të marrë ndihmën mjekësore, ndërkohë që punonjësi tjetër është dërguar në spitalin e Bulqizës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në galeri nuk ka pasur shembje dhe as minatorë të bllokuar.

Grupet e AKSEM, Inspektorati i Punës dhe Policia e Shtetit janë në vendngjarje dhe po vlerësojnë rrethanat e ngjarjes.

Top Channel