EMRI+FOTO/ Kush është i forti i Yzberishtit që humbi jetën në aksident, i dënuar për vrasje dhe për drogë

11/05/2021 15:39

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen u shënua në Buleverdin e Ri në Yzberisht gjatë mesditës së sotme.

Dy automjete janë përplasur me një motor dhe për pasojë ka humbur jetën drejtuesi i motorit, i identifikuar si Fatmir Avdillari, 45 vjeç. Ai konsiderohet si një ndër “të fortët” e Yzberishtit, por edhe të Selitës.  Së bashku me vëllain e tij, Ilir Avdillarin dhe disa persona të tjerë kanë qenë të njohur si anëtarë të “Bandës së Yzberishtit” në vitet ’97-’98, të akuzuar për shumë vepra penale, mes të tjerash edhe vrasje.

I njohur ndryshe si “Xubi”, Fatmir Avdillari kishte vetëm një vit që kishte dalë nga burgu, pasi shleu dënimin prej 12 vitesh për vrasje, kur u arrestua sërish për vrasje në vitin 2009 nga Policia e Tiranës.

Një vit pasi doli nga burgu, Fatmir Avdillari u arrestua për vrasjen e Ardian Tahirit, ngjarje e ndodhur më 11 prill 2009, që sipas Policisë ishte kryer për hakmarrje. Policia deklaronte zyrtarisht se Fatmir Avdillari ka pasur dyshime se Ardian Tahiri i kishte vrarë vëllain, Fiqiri Avdillarin, në Athinë.

Vëllezërit janë akuzuar edhe për shumë veprat të tjera penale, mes të cilave renditet edhe shitja e lëndëve narkotike në zonën e Kombinatit, Yzberishtit dhe Kasharit, ku edhe banda vepronte.

Si ndodhi aksidenti

Me datë 11.05.2021, rreth orës 14:15, tek bulevardi “Migjeni”, janë përfshirë në aksident mjeti tip “Toyota” me drejtuese shtetasen E. M., 38 vjeçe me mjetin tip “Opel” me drejtues L. P., 40 vjeç dhe me mjetin motorr me drejtues F. A. Si pasojë e aksidentit ka ndërruar jetë në vendngjarje drejtuesi i mjetit motorr shtetasi F.A., rreth 45 vjeç, si dhe është dërguar në spital drejtuesja e mjetit E. M., dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Top Channel