Çdo ditë 20 sinjalizime për dhunë/ Dhuna në familje, burrat asnjëherë nuk i shikojnë problemet tek vetja

11/05/2021 19:44

Ekzekutimi në hyrje të gjykatës së Elbasanit i zonjës Liljana Buzo, nga ish bashkëshorti, e tronditi shumë opinionin publik.

Por drejtuesja e Linjës Kombëtare të Këshillimit për Gra dhe Vajza tregon, se në një ditë të vetme marrin rreth 20 telefonata nga gra dhe vajza, të cilat përjetojnë dhunë fizike, apo psikologjike dhe emocionale nga bashkëshorti apo bashkëjetuesi.

Iris Luarasi, Pedagoge, Aktiviste: Burri mendon se e ka pronë gruan dhe fëmijët. Dhe në momentin që gruaja guxon ta padisë, të kërkojë urdhër mbrojtjeje, apo të nisë procedurat e divorcit, atëherë çdo gjë del jashtë kontrollit. Gati në 100 % të rasteve që ne kemi trajtuar, asnjë prej këtyre burrave nuk e shikon problemin tek vetja, por e gjen tek gruaja. Është faji i gruas që ai bëhet xheloz, është faji i saj që do të punojë, është faji i saj që do të shkollohet, ndërkohë që vajza do të shkojë tek burri dhe duhet të dijë vetëm të lajë e të gatuajë.

Mesatarisht ne marrin rreth 15-20 telefonata në ditë, ndërsa gjatë pandemisë kishim një fluks telefonatash gati të papërballueshëm, gati 50-60 telefonata në ditë. Shumica e grave ankohen për dhunë fizike, verbale, psikologjike apo emocionale.
Dhuna në familje ndodh në mes të Tiranës, ndodh në familje të pasura, në familje të arsimuara.

Dëgjoj vazhdimisht njerëz që thonë mjaft tani më këto protesta, si kjo që u zhvillua në Elbasan, në shenjë revolte për vrasjen e Liljana Buzos, se nuk është se ndryshojnë ndonjë gjë. Por unë mëndoj se protesta të tilla janë një veprim qytetar ku ti tregon se nuk je dakord me atë që ka ndodhur. Sa më shumë të dalin njerëz në protesta dhe të flasim për këto tema, aq më shumë ka ndërgjegjësim.

Top Channel