Vritet një 40 vjeçar në Vlorë/ Policia është në ndjekje të autorëve që u larguan me një automjet

10/05/2021 15:18

Një 40 vjeçar u ekzekutua me armë zjarri brenda makinës së tij në Vlorë. Bledar Bircaj po lëvizte me mjetin tip BMV X5 në lagjen Hajro Cakërri kur sipas policisë u qëllua në rrethana për të cilat kanë nisur hetimet.

Si fillim u plagos rëndë dhe pas transportimit në spitalin e Vlorës biznesmeni pronar i një lokali në Vlorë nuk arriti t u mbijetojë plagëve.

Në vendngjarje mbeti automjeti me shenjat e breshërive të plumbave në pjesën e përparme. Policia është vënë në ndjekje të autorit duke ngritur disa pika kontrolli.

Viktima Bledar Birçaj, nuk është një emër i panjohur për drejtësinë. Në janar të 2011 ai u arrestua në Vlorë si i dyshuar për vrasje, duke iu vendosur masa e arrestit me burg 45 ditë. Gjithashtu, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë me vendimin të marsit 2011, ka caktuar si masë sigurimi “arrestit në burg” pa afat.

Në prill masa ndaj tij ndryshoi nga Gjykata e Vlorës nga “arrest në burg” me masën e sigurimit “detyrim paraqitje në policinë gjyqësore” dhe masën detyruese “ndalim të daljes jashtë shtetit” deri në përfundim të hetimeve. Por në korrik 2011 u vendos pushimi i hetimit penal në ngarkim të Bledar Birçaj duke e lënë të lirë.

Top Channel