Përkeqësohet dhuna në Jeruzalem/ Shoferi izraelit sulmon me makinë protestuesit palestinezë pranë xhamisë Al-Aksa (foto-dokumentar)

10/05/2021 17:56

Qindra njerëz janë plagosur sot në përplasjet mes palestinezëve dhe forcave të sigurisë në Jeruzalem gjatë marshimit ku shënohet pushtimi izraelit i qytetit të shenjtë në 1967.

Rreth 300 njerëz u plagosën në përleshjet e sotme, njoftoi Gjysmë-Hëna e Kuqe, disa prej të cilëve jane në gjendje të rëndë. Ndërsa policia izraelite tha se 21 oficere u lenduan, nje prej te cilave ne gjendje te rende.

Një nga incidentet më të rënda ishte ai i kapur nga kamerat kur një makinë që kalonte në Qytetin e Vjetër të Jerusalem goditet me gurë nga protestuesit dhe në shenjë hakmarrjeje shoferi ngjitet mbi trotuar duke goditur banorët palestinezë që protestonin.

Kur makina e sulmit ndaloi e penguar nga një mur, protestuesit godisnin me objekte shoferit izraelit që i sulmoi, derisa një oficer i armatosur policie erdhi në mbrojtje të tij.

Përleshjet mes palestinezëve dhe forcave izraelite të sigurisë u përkeqësuan në ditët e fundit të muajit të Ramazanit, i cili përfundon më 12 maj.

Qendra e përplasjeve ka qenë xhamia e Al-Aqsa – vendi i tretë më i shenjtë i fesë islame – ku  forcat izraelite kanë kryer ndërhyrje të dhunshme ndaj besimtarëve palestinezë.

Tensionet janë të larta në Lindje të Jeruzalemit mes banorëve palestinezëve dhe kolonëve izraelitë, që kërkojnë të vendosen në tokat e pushtuara. Një gjyq për cështjen është shtyrë për një datë të mëvonshme.

Ndërkohë një marshim palestinez në kujtim të Luftës Gjashtë-ditore – kur Izraeli mundi forcat egjiptiane, jordaneze dhe siriane për të marrë kontrollin e Qytetit të Vjetër të  Jerusalem, po mbahej sot, duke kërcënuar përshkallëzim tjetër të dhunës.

FOTO GALERI
28/29

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA