Mjeku Tritan Kalo

Sërish një fitore tjetër në luftën e gjatë me Covid 19-tën. Në 24 orët e fundit nuk ka patur asnjë shtrim në Spitalin Infektiv, Covid 1, në QSUT. Lajmin e ka kumtuar për të gjithë ne profesor, doktor Tritan Kalo.

Qytetarët: Sukses i madh, lajm i shkëlqyer. 2 ditë pa asnjë të shtruar i thonë dy ditë jetë, jo vetëm për një person, por për shumë njerëz.

Shyqyr që nuk po na dëgjojnë më veshët lajme të hidhura. Na ka kushtuar shtrenjtë kjo flamë. Ditë më të mira po vijnë sigurisht. Më të madhen e kapërcyem. Mos ardhtë më kurrë. U çlirofshim nga të gjitha të këqijat.

Nuk jam vaksinuar ende. Pas një muaji mbush 60 vjeç dhe do vij ta bëj vaksinën.

Sot që siç po thua, nuk ka të shtruar në spital, nuk ka lajm më të bukur se ky. Do pyes tani për vaksinën, më thanë të interesohem te Sheshi Skëndebej, ndaj kam ardhur. Vaksina të shton jetën. Historikisht kështu ka qenë.
Unë kam ardhur me djalin për të bërë dozën e dytë të vaksinës. Po e bën gjithë bota vaksinën. Po shkoj me shumë dëshirë.
Nuk do të ketë më vdekje nga Covidi dhe ne do ta bëjmë mësimin siç duhet. Vera ime do të jetë gjithë ngjyra, do të luaj më shokët dhe shoqet, do shkoj në plazh. Duke bërë vaksinat të gjithë do të jemi më të sigurt.

Prej kohësh raportimet tona janë zhvendosur nga spitalet Covid në vaksinodromet e ngritura për vaksinimin masiv të popullatës. Deri tani i janë nënshtruar këtij procesi mbi 600 mijë shqiptarë dhe sfida mbetet vaksinimi i 1 milionë qytetarëve brenda muajit maj. Në statusin e tij profesion Tritan Kalo thotë se nuk jemi ende në fazën që të hapim shishet e shampanjës e të thërrasim “Fitore”, pasi kemi ende rrugë për të bërë në tunelin e gjatë të pandemisë, por dalja prej tij po afrohet shpejt dhe kjo na bën optimist dhe me flatra.

Top Channel