Edi Rama i bindur para deputetëve: Do t’i mbajmë zotimet tona! Të pastrojmë administratën nga ata që janë turpi i shtetit

10/05/2021 10:35

Kryeministri Edi Rama ka folur para deputetëve pas fitores së zgjedhjeve të 25 prillit duke i kujtuar të gjithë premtimet që kanë dhënë gjatë fushatës elektorale.

Rama foli me bindje para tyre duke thënë se do t’i mbajnë të gjitha zotimet. Ndërsa për revolucionin digjital, theksoi se do të pastrohet administrata nga ata që janë turpi i shtetit dhe i marrëdhënies me qytetarët.

Kryeministri theksoi se do të hapet rruga për këdo që do të kontribuojë në administratën e shtetit dhe të shërbejë për shtetin shqiptar sipas aftësive dhe meritës, jo lidhjeve me deputetët apo ministrat e vendit.

Edi Rama: Partia Socialiste ka mundësinë që mandatin e tretë ta çojë Shqipërinë në një nivel tjetër realisht duke bërë gati për majën ku Shqipëria mund dhe duhet të ngjitet brenda kësaj dekade.

Ne do t’i mbajmë një për një zotimet tona, duke nisur nga zerimi i taksës për pagat deri në 400 mijë lekë në 1 janar të vitit të ardhshëm, ulja e taksës mbi pagat 1.2-2.5 milionë lekë nga 1 janari i vitit të ardhshëm, rritja e përvitshme i pagës minimale për të arritur deri në 380 apo 400 mijë lekë brenda mandatit të tretë, mosprekja e tatimfitimit të biznesit të vogël, ndërtimi i porteve dhe aeroporteve që do të kenë nisur brenda qershorit të vitit të ardhshëm. Pa harruar asnjë moment revolucionin digjital të shërbimeve për qytetarët.

Me revolucionin digjital kemi hedhur bazat, por na duhet një sforco e re, e madhe dhe e përbashkët për ta finalizuar këtë revolucion duke e pastruar administratën me ata që janë turpi i këtij shteti, turpi ynë në marrëdhënie me qytetarët. Me qartësinë që sic kemi bërë me policët, mësuesit, infermierët, kjo është domosdoshmëri dhe është e panegociueshme. Një rrugë e re duhet të hapet për çdo vajzë e djalë që ka dëshirën të kontribuojë në administratën e shtetit.

PS ka më pak se 100 mijë anëtarë, ka thuajse 800 mijë zgjedhës dhe Shqipëria ka mbi 2 milionë qytetarë që duhet të gëzojnë të drejtën për të shërbyer për këtë shtet, sipas aftësisë dhe meritës, jo lidhjeve me deputetë e ministrave apo sipas xhepave të drejtuesve dhe përgjegjësve. Kjo do të jetë qasja e mandatit tonë të tretë dhe dëshiroj shumë që të gjithë ju së bashku me mua të pedalojmë në të njëjtin drejtim pa u lodhur që askush të mos kontribuojë me vullnet të mirë që administrate të çlirohet përfundimisht nga kthetrat e interesave politike dhe fytyra jonë të mos njolloset në vazhdimësi për shkak të atyre që përfitojnë nga këto kthetra interesash politike dhe pastaj nuk bëjnë asgjë veçse shohin xhepin e tyre.

Top Channel