Ditët e fundit të burrit që la gjithçka për të jetuar e vdekur në botën e egër (fotot)

10/05/2021 19:57

Christopher Mccandless, i njohur ndryshe edhe si ‘Alexander Supertramp’, fali të gjitha paratë e zotërimet e tij dhe nisi rrugëtimin e vetmuar në botën e egër të pyjeve, larg civilizimit të korruptuar.

Ai u gjet i vdekur në moshën 24 vjeçare, por ka përshkruar vuajtjen e ditëve të fundit, në ditarin e tij.

Në prill 1992, Chris Mccandless shkoi për të shëtitur në Alaska dhe nisi një rrugëtim mes natyrës së egër të vendit të akullt.

Pesë muaj më vonë, ai u gjet i vdekur, i mbështjellë në rrobat e tij te gjumit në një autobuz të braktisur. Ai ishte vetëm 24 vjeç.

“Vagabondi” aventurier me stil unik, peshonte vetëm 30kg kur u gjet, dhe zyrtarët thanë se vdekja e tij kishte ardhur nga uria.

Mccandless kishte dokumentuar ditët e tij të fundit madje edhe orët, në një ditar ku përshkruante sesi kishte mbijetuar duke ngrënë kafshë që kishte vrarë, apo rrënjë dhe fara për të cilat “kulloste”.

Kanë kaluar njëzetepesë vjet tashmë kur autori Jon Krakauer tregoi historinë e dhimbsur të Mccandless në librin e tij ‘Into The Wild’ (Në botën e egër), i cili më vonë u bë dhe një film nga regjizori Sean Penn.

Por edhe sot, ka plot paqartësi mbi faktorët që sollën vdekjen e të riut.

Mccandless, nga Virginia, ishte një student i talentuar dhe atlet, por edhe mësuesit e tij në shkollën e mesme e dalluan individualitetin e tij, duke thënë se “marshonte me një tjetër rrahje të daulleve”.

Pas diplomimit nga Emory University në 1990 për histori e antropologji, ai i dha të gjitha paratë që zotëronte $24,000 për organizatën e bamirësisë OXFAM.

Në dy vitet e ardhshme ai punonte kur kishte nevojë si dhe kreu disa ekspedita e aventura në natyrë.

Më pas në 1992, pasi kishte hequr dorë nga zotërimet e tij, ai u nis drejt Fairbanks në Alaskë me mjete udhëtimi të rastit, dhe u lëshua drejt botës së egër me nje sasi minimale furnizimesh apo pajisjesh.

Në ditarin e tij përfshihen fotografi, me të cilat tregon sesi gjatë shtigjeve të tij gjeti një autobuz të braktisur në parkun kombëtar  Denali.

Aty ai ngriti kampin e tij, duke jetuar me ketra, zogj apo lepujt të cilët vriste në gjueti. Pjesa tjetër e dietës së tij ishin rrënjë e fara, dhe aventurieri i ri dukej se po mbijetonte.

Në qershor ai kishte vrarë një patë të egër dhe kishte tentuar të ruante mishin e saj që do ta kishte ushqyer për disa javë. Por tentativa e tij dështoi dhe mishi u kalb.

Ditari i dhimbsur i Mccandless tregon se në korrik ai ishte përpjekur të rikthehej në botën e civilizuar, por ishte penguar nga lumi i pakalueshëm Teklanika.

Kështu që pa opsion tjetër ai ishte detyruar të kthehej në kampin e tij të autobuzit.

Tashmë duke u trembur për jetën e tij, në një akt dëshpërimi djali kishte vendosur një shenjë ‘SOS’ në autobuz për të kërkuar ndihmë, duke shkruar: “Kujdes, vizitorë të mundshëm. S.O.S. Kam nevojë për ndihmë. Jam i plagosur, pranë vdekjes, nuk kam fuqi të eci, nuk është shaka. Ju lutem ndaloni për të më shpëtuar. Kam dalë për të mbledhur fara, kthehem në darkë, Chris Mccandless. Gusht.”

Por asnjë nuk erdhi

Ditaret e Mccandless dokumentojnë 113 ditë të tij në zonë. Shënimi i tij i fundit është i ditës së 107 dhe shkruan vetëm: “Boronica të mrekullueshme.”

Ditët 108 deri në 112 shënohen vetëm nga vija.

Dita e saktë e vdekjes së tij nuk është e qartë por në një nga verimet e tij të fundit djali bëri një foto të vetes teksa në dorë mbante shënimin “Kam pasur një jetë të lumtur, falenderoj Zotin. Lamtumirë dhe Zoti ju bekoftë!”

Por për fat të keq Mccandless nuk e dinte se një teleferik mekanik mund ta kishte ndihmuar atë të kalonte lumin, jo larg nga vendi ku ai ishte kthyer prapa.

Por shumë pyetje janë ngritur mbi shkakun e vdekjes dhe faktin se megjithë kushtet e vështira, djali ishte i ri e i fortë, dhe gjente çdo ditë ushqimin e tij.

Në librin e tij Krakauer spekullon e ajo që vrau Mccandless nuk ishte uria por farat e patates së egër.

Sipas ditareve të tij Mccandless kishte ngrënë rregullisht nga këto fara dhe Krakauer argumenton se alkaloidi toksik në farat e kishte dobësuar aq shumë të riun, sa nuk mund të dilte më për të mbledhur ushqim.

Megjithse literatura i përshkruan farat e patates së egër si jo-toksike, Krakauer nuk hoqi dorë por mori një vlerësim nga studiuesi Ronald Hamilton.

Hamilton arriti edhe ai në konkluzioin se Mccandless ishte vrarë nga farat e patateve por jo prej helmimit të tyre.

Hamilton tha se dieta dhe kequshqyerja e Mçandless e kishn ekspozuar atë ndaj një gjendjeje të quajtur  “latirizëm” e cila gradualisht paralizon viktimat e saj.

Latirizmi shkaktohet nga konsumi i një aminoacidi të zbuluar fillimisht në farat e bizeleve të egra.

Krakauer dërgoi disa fara patatesh të kimisti dhe zbuloi se ato përmbanin aminoacidin që shkakton latirizëm.

Pas vdekjes së tij, autobuzi i parkut në Alaska ku jetonte Mccandless u kthye në një destinacion të njohur për vizitorët dhe ekskursionistët.

Në shtator 2020, autobuzi u vendos në Muzeumin e Universitetit të Alaska.

Ndërsa në 2007 një film me regjizor Sean Penn, u xhirua në nder të Mccandless.

Regjizori tha se dëshironte të bënte filmin sapo dëgjoi historinë në librin e Krakauer.

“Librin e tij e lexova me një frymë, herën e parë për të kuptuar se ishte një film, dhe herën e dytë për ta konfirmuar”, thotë regjizori, i cili kishte kontaktuar me pas me autorin Krakauer, i cili e prezantoi me prindërit e Mccandless, Walt and Billie, dhe motrën e vogël Carine.

Megjithse disa njerëz celebronin frymën e tij të lirisë, të tjerë i quanin veprimet e tij  të paditura e të pamatura.

Gardiani i vjetër i parkut në Alaska Peter Christian tha: “Kur merr në konsideratë veprimet e Mccandless, unë besoj se mund të shohesh shpejt se nuk janë edhe aq guximtare, por të paditura, tragjike, të pamatura.”

“Fillimisht ai nuk shpenzoi shumë kohë për të mësuar sesi të jetosh në botën e egër, ai kishte ardhur këtu pa një hartë, e cila mund t’i kishte shpëtuar jetën. Në thelb, mendoj se Chris Mccandless kreu një vetëvrasje.”

FOTO GALERI
1/7
Christopher Mccandless, i njohur ndryshe edhe si ‘Alexander Supertramp’, fali të gjitha paratë e zotërimet e tij dhe nisi rrugëtimin e vetmuar në botën e egër larg civilizimit

Top Channel