Të helmuar nga kërpudhat/ Humbin jetën 3 anëtarët e familjes nga Gjilani i Kosovës në Gjirin e Lalzit

09/05/2021 18:53

Kanë rezultuar fatale për familjen Haliti nga Gjilani i Kosovës pushimet në Gjirin e Lalëzit ku ata kanë dhe një shtëpi pushimi.

Tre anëtarët e saj humbën jetën pas një helmimi ushqimor që dyshohet se është shkaktuar nga konsumimi i kërpudhave të zonës.

Disa orë pas konsumimit të kërpudhave në apartamentin e tyre në Gjirin e Lalëzit, ku ndodhet ende i parkuar automjeti me targa shqiptare i Afrim Halitit, ai, nëna dhe bashkëshortja e tij janë ndjerë keq, ndaj një punonjës i resortit i ka shoqëruar pranë qendrës shëndetësore të Manzës në orët e para të 5 majit për trajtim ambulator dhe më pas janë kthyer në banesë.

Afro 20 orë pas trajtimit ambulator në QSh Manëz, 3 anëtarët e familjes Haliti janë ndjerë keq dhe kanë kërkuar ndihmë nga urgjenca kombëtare e cila ka dërguar një autoambulancë nga Durrësi dhe pas një reanimimi të shpejtë i ka dërguar në Tiranë në gjendje të rënduar, ku dhe humbën jetën në një diferencë kohore prej 24 orësh nga njëri-tjetri, ndërsa policia nisi hetimet duke vënë nën akuzë dy mjekët për mjekim të pakujdesshëm.

Top Channel