Gjykata e Elbasanit vendosi masën e sigurisë Arrest me burg për ish-policin, Koço Buzo, i cili qëlloi për vdekje dy ditë më parë  bashkëshorten e tij, Liljana Buzo 54 vjeçe, ndërsa plagosi avokatin e saj dhe një kalimtar të rastit.

Prokurori Petref Asllani kërkoi masën arrest me burg dhe këtë masë la në fuqi edhe gjyqtari Bujar Musta.

Dy ditë më parë, teksa dilte nga gjykata ku kërkoi urdhër mbrojtje nga bashkëshorti, Liljana Buzo gjeti vdekjen nga plumbat e kallashnikovit.

58-vjeçari nuk hezitoi të qëlloje gruan, edhe pse kjo e fundit shoqërohej nga djali i tyre 18-vjeçar dhe avokati mbrojtës, i cili gjithashtu mbeti i plagosur.

Ngjarja ndodhi në dyert e gjykatës, e cila edhe këtë herë nuk arriti të mbrojë një grua, e cila gjithë jetën vuajti dhunën e ushtruar nga bashkëshorti.

Ishin kalimtarët ata që arritën të neutralizojnë vrasësin, pasi pasojat mund të ishin edhe më të rënda teksa breshëria e automatikut përfshiu mes kalimtareve të rastit.

Koço dhe Liljana Buzo ishin prindër të 3 fëmijëve, një vajze 26 vjeçe dhe dy djem 20 dhe 18 vjeç.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA