U dhunua prej vitesh nga ish-bashkëshorti i saj, gruaja ka një mesazh për të gjithë femrat shqiptare që ndodhen në të njëjtën situatë

08/05/2021 22:02

Fatkeqësisht dhuna në familje mbetet ende një vatër e nxehtë problematike për shoqërinë shqiptare, pavarësisht fushatave sensibilizuese të ndërmarra ndër vite. Në programin “Dua të të bëj të lumtur” gjithmonë janë trajtuar histori me tematike sociale nga më të ndryshmet, ku një vend të veçantë kanë pasur gratë e dhunuara nga ish-bashkëshortët.

Në mbrëmjen e sotme në programin “Dua të të bëj të lumtur” u trajtua historia e dhimbshme e Sadetes, e cila për vite të tëra kishte jetuar me dhunuesin e saj.
Në studion e programit kishte ardhur halla e Sadetes, Naimja e cila ndau me ne historinë e mbesës, e cila për shkak të problemeve ekonomike ishte detyruar që të punonte që e vogël duke lënë shkollën. Sadetja jeton në një fshat të Tiranës dhe ishte martuar që në moshë të re me shkuesi.

Naimja tregoi se martesa e mbesës së saj kishte qenë normale dhe se në fillim nuk kishin pasur probleme. Por me kalimin e kohës, Sadetja ishte dhunuar nga bashkëshorti i saj, i cili nuk ishte kujdesur kurrë për të dhe për familjen që kishin ndërtuar. Por dhuna nuk ishte vesi i vetëm i bashkëshortit të saj, ai, sipas Naimes luante bixhoz duke neglizhuar çdo nevojë ekonomike të Sadetes dhe djalit të tyre.

Të gjitha këto vështirësi dhe shqetësime Sadetja nuk u kishte rrëfyer familjes së saj. Askush nuk kishte pasur informacion mbi dhunën që i ishte ushtruar Sadetes gjithë këto vite, dhe as për problemet e mëdha ekonomike me të cilat ishte përballur. Të gjitha këto shqetësime dhe vuajtje kanë lënë jo pak gjurmë tek Sadetja. Ajo është mbyllur në vetvete dhe i vetmi motiv për për të cilin jeton është djali i saj.

Prandaj për këtë arsye halla e saj, Naimja ka zgjedhur programin “Dua të të bëj të lumtur” për të mbështetur Sadeten në këtë rrugëtim të vështirë, por edhe për t’i dhënë asaj një mesazh force dhe kurajo. “Sadete, të kam thirrur këtu për të të thënë që ti nuk je vetëm. Dua të të them që ti nuk ke bërë asgjë të keqe, dije se ne do jemi gjithmonë për ty. Por dua që të vazhdosh jetën normalisht, pa parë mbrapa!”,- ishte mesazhi i Naimes për mbesën e saj.

Nga ana tjetër e studios Sadetja e përlotur rrëfeu vështirësitë që ka kaluar gjithë kësaj kohe si dhe problemet me të cilat i ishte dashur të përballej, gjithashtu shtoi: Unë kam një mesazh për të gjithë gratë që dhunohen. Dua t’ju them që nëse një person ju dhunon një herë, mos e ktheni më kokën prapa. Largohuni!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA