Policia nuk ka arritur ende të kapë pronarin e një pike karburanti, në të cilin fshihej një laborator droge në autostradën Lushnjë-Fier.
Aktiviteti kryhej në vendin e quajtur “Pushimi i Shoferit”, ku pika e karburantit ishte nxjerrë jashtë funksioni prej vitesh, por në fakt u zbulua se ishte një vend për kultivimin e kanabisit.
Ambienti ishte përshtatur si laborator, që shërbente për kultivimin e bimëve narkotike, nëpërmjet ngrohjes me llamba.
Një prej personave përgjegjës për laboratorin u arrestua së bashku me dy punonjës të kompanisë OSHEE.
Punonjësit e OSHEE-së, nuk kanë kontrolluar linjën elektrike, si dhe matësin e energjisë elektrike në këtë pikë karburanti fantazmë.
Gjatë operacionit, shërbimet e policisë kanë sekuestruar pajisjet elektrike që kanë shërbyer për kultivimin e bimëve narkotike dhe fidanë të dyshuar narkotikë kanabis, të kultivuar në kushte laboratorike. Në banesën e të arrestuarit u gjetën dhe u sekuestruan disa fishekë luftarak dhe pajisje që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike në kushte laboratorike.
Një nga ambientet ishte përshtatur si laborator me llamba qe shërbenin për temperaturën e bimëve narkotike, veshje me letër alumini kubik etj. Teknologjia e përdorur në këtë ambient ishte e ngjashme me atë që përdoret në Britani. Pranë kësaj ndërtese ndodhej dhe një kabine elektrike ku poseduesit e objektit merrnin energji elektrike me lidhje të paligjshme.
Top Channel