Pak metra nga zyra e Presidentit, socialistët u mblodhën në ditë pushimi për të nisur hetimin 3 javor për Ilir Metën, me opozitën e re.
“Të gjithë jemi dakord, me 9 vota pro miratohet plani paraprak i hetimit”, tha Alket Hyseni.
Deputetët nuk i druhen ballafaqimit me Ilir Metën dhe i rezervuan të drejtën Presidentit për t’u paraqitur me dëshirë në Komision.
“Nëse Presidenti do ta vlerësojë, të vijë, është e drejtë e tij, por nga ana tjetër ky Komision ka të drejtën për ta thirrur Presidentin nëse e vlerëson të domosdoshme praninë e tij në Komision”, sqaroi Hyseni.
Plani paraprak i hetimit, i cili mori bekimin e deputetëve pritet të ndryshojë në ditët në vijim. Propozimet nuk munguan në ditën e parë.
“T’i kërkojmë zyrtarisht SHISH, Drejtorisë së Pergjithshme të Policisë dhe Antiterrorit çfarë informacionesh kanë patur gjatë 30 ditëve fushate. Çfarë ndikimi dhe efekti kanë pasur deklarata e Presidentit të Republikës për nxitje dhune”, tha Myslim Murrizi.
Spartak Braho shtoi: “Të kemi edhe raportet e Komisionit të Venecias dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilat në disa raste kanë trajtuar marrëdhëniet me Presidentin. Do të na duhen jo vetëm deklarimet, por edhe filmimet e deklarimeve te Presidentit me video, t’i shohim këtu”.
Kjo është përpjekja e dytë e socialistëve për ta dërguar në shtëpi Ilir Metën. Socialistët po nxitojnë të kapin afatet me Parlamentin aktual, ku falë votave të opozitës së re ka treguar se gëzon shumicën kushtetuese për të shkarkuar Ilir Metën.
Top Channel