Interpol Tirana në bashkëpunim me skuadrën e ekstradimeve në Scotland Yard dhe policinë lokale të South Yorkshire, i kanë dhënë fund fshehjes pesë vjeçare të një të kërkuari nga drejtësia shqiptare që fshihej në Angli.

Top Channel duke iu referuar njoftimit të gjykatës së ekstradimeve raporton se është arrestuar për llogari të Interpol Tiranës Binak Gecaj 48 vjeç pasi akuzohet për “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”  ngjarje e ndodhur në vitin 2016.

Gecaj do të dalë përsëri më 12 maj para kësaj gjykate për të vijuar procesin ekstradimit.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin Krimin e Organizuar në lidhje me procedimin penal të Binak Gecajt ne vitin 2018 ka publikuar këtë njoftim.

Njoftimi për Binak Gecaj

Nr. Akti 73

Tiranë, më 19.06.2018

U R D H Ë R

“Për Njoftimin e të Pandehurit Binak (ndryshe Paulin) Gecaj”

Në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, është caktuar për t’u zhvilluar Seanca Paraprake, për shqyrtimin e kërkesës  penale me kërkues: Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, me objekt: Dërgimin në gjyq të procedimit penal Nr.08 të Vitit 2016, kundër të pandehurit Binak (ndryshe Paulin) GECAJ, i biri i Nikës dhe i Lezes, i datëlindjes 25.04.1973, lindur në Bllatë, Tropojë dhe banues në Paskuqan I, Tiranë, i akuzuar për kryerje të veprës penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 109/b paragrafi 1 dhe 25 të Kodit Penal, në dëm të viktimave Afërdita Zhuga dhe Samedin Zhuga.

Bazuar në nenin 140 pika 5 të Kodit të Procedurës Penale, gjykata çmon të nevojshme kryerjen e njoftimit të të pandehurit, ndërmjet të tjerave, edhe nëpërmjet afishimit të aktit të njoftimit në këndin e afishimit dhe në faqen e internetit të Gjykatës.

PËR KËTO ARSYE

Gjykata, bazuar në nenet 112 dhe 140 pika 5 të Kodit të Procedurës Penale.

U R D H Ë R O N

Njoftimin e të pandehurit Binak (ndryshe Paulin) Gecaj, për t’u paraqitur në seancën paraprake të caktuar për t’u zhvilluar në datë 29.06.2018, ora 13:00.

Urdhëri i njoftimit depozitohet në Njësinë Administrative Paskuqan, Bashkia Kamëz, afishohet në portën e shtëpisë së tij në Paskuqan I, Tiranë, në këndin e afishimit dhe në faqen e internetit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë.

GJYQTARE

Liljana BAKU

Top Channel