Në momentin që vaksinat kundër koronavirusit kanë qenë në fazat e studimit, një faktor që nuk është marrë në shqyrtim është edhe ushqimi. Në një lidhje skype për “Wake Up”, profesori i Universitetit të Tetovës, Egzon Ademi tregoi se çfarë duhet të hamë para dhe pas vaksinimit.
Profesori ka thënë se pas marrjes së dozës së parë të vaksinës duhet që së paku nga qytetari të pihen 8 gota ujë në ditë, veç ujit që marrim nga ushqimet.
Po ashtu duhet të shmanget konsumi i alkoolit, të limitohet përdorimi i cigareve dhe e mira do ishte dalja në ajër të pastër për të marrë vitaminën D, së paku 15 minuta në ditë.
“Në fazat e studimit asnjë vaksinë nuk është studiuar për një dietë specifike. Meqë vaksinat shërben për forcimin e imunitetit, edhe ushqimi luan një rol në këtë.
Uji është komponenti kryesor që ndihmon në këtë. Duhet parë kjo kohë pas marrjes së dozës së parë, deri në një javë pas dozës së dytë, që janë ato 4 javë më të rëndësishme kur fillon prodhimi i antitrupave. Uji është themelor, së paku duhen 8 gota ujë në ditë, veç ujit që marrim nga ushqimet.
Duhet të shmangim konsumimin e tepërt të alkoolit. Një gotë alkool nuk ndikon direkt, por konsumimi i madh i alkoolit do të kishte ndikuar direkt në uljen e nivelit të imunitetit. Gjithashtu duhet të limitohet përdorimi i cigareve. Është e mirë dalja në ajër të pastër për të marrë vitaminën D, së paku 15 minuta në ditë.
T’u largohemi konsumimit të tepërt të sheqernave, të yndyrnave. Të konsumohen sa më shumë proteina që gjenden te mishi i peshkut, mishi i pulës, fasulet, avokado, fruta të thata, fruta të malit. Te vitaminat që gjenden te frutat, molla, portokalli, banane etj.
Mineralet, më i rëndësishëm është konsumimi i ushqimeve të pasura me zink dhe magnez. Forcojnë imunitetin dhe metabolizmin e njeriut”, bëri të ditur profesori Ademi.
Top Channel