Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe deputetja e PS-së, Vasilika Hysi kanë kërkuar rrëzimin e dekreteve të Presidentit të Republikës Ilir Meta.

Sipas ministres Gjonaj, këto dekrete të kthimit të ligjit të Presidentit duket sikur kanë synim jo vetëm akumulimin e problematikave të krijuara, por sikur shkojnë në një luftë të vazhdueshme me Reformën në Drejtësi.

Gjonaj: Cilido të ketë qenë kundërshtar i reformës duhet të ishte së paku i heshtur sot, kur kemi bërë punë në plotësimin e gjykatave, apo edhe në institucionet e tjera.

Gjykata e Lartë ka më shumë se 35 mijë çështje të pashqyrtuara dhe paketa i hapi rrugë rishqyrtimit të tyre. Zgjidhje ju dha edhe problematikave në Gjykatën e Apelit dhe në ato të Shkallës së Parë.

Argumentet e Presidentit se në këtë rast kemi të bëjmë me një paketë ligjesh për miratimin përmes një procedure antikushtetuetuese jo vetëm që janë pa baza, por cenojnë fort angazhimin e ndërkombëtarëve që janë në krahun tonë për zbatimin e reformave. Ata kanë pasur jo vetëm  një analizë të mirëfilltë për problematikat, por gjetën edhe një zgjidhje për to.

Vonesat e shkaktuara për shkak të kthimit të kësaj pakete nuk e ndihmojnë në arritjen e rezultateve Reformën në Drejtësi. Argumenti se me këto ndryshme mund të mbulohen defektet e Reformës në Drejtësi janë argumenta jo vetëm jo profesionalë, por dhe subjektivë, e dritëshkurtra.

Duket sikur këto dekrete të kthimit të ligjeve kanë synim jo vetëm akumulimin e problematikave të krijuara, por akoma më tej sikur shkojnë në një luftë të vazhdueshme me Reformën në Drejtësi. Këtu nuk bëhet fjalë për çështje vetjake, por një interes i përbashkët për të përfunduar sa më shpejt zbatimin e Reformës në Drejtësi. Prandaj deputetët ju ftoj të rrëzojmë dekretet e Peridentit për t’i hapur rrugë zbatimit të Reformës në Drejtësi.

Hysi: Komisioni i Ligjeve ka vendosur një standard që  çdo projektligj është konsultuar me institucionet përgjegjëse dhe të gjithë individëve që shprehin interes.

Merita më e madhe e mazhorancës është Reforma në Drejtësi, që e kemi mbështetur zbatimin e saj, kemi vënë në dispozicion të gjithë burimet e nevojshme financiare dhe që monitorojmë në mënyrë sistematike zbatimin e saj.

Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit do të rrisë transparencën për të gjitha nismat. Reforma në Drejtësi nuk është vetëm rivlerësim kalimtar, duhet të mendojmë për pabarazi që çdo qytetari në drejtësi.

Ju ftoj të rrëzojmë dekretet e Presidentit dhe të vijoni me kontrollin parlamentar të zbatimit të ligjeve.

Top Channel