Ndihmuan skafistin të arratisej, 5 rojet bregdetare: Jemi të pafajshëm/ Familjarët të përlotur: S’kishin ç’bënin, mbrojtën fëmijët që qanin e ulërinin

07/05/2021 10:49

Mëngjesin e kësaj të premte kanë mbërritur në Gjykatën e Vlorës 5 efektivët e rojës bregdetare, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre, pasi ndihmuan të arratisej një prej skafistëve që po transportonte 55 klandestinë, kryesisht sirianë drejt Italisë më 8 janar të këtij viti.

Familjarët mes tensioneve dhe lotëve janë të pranishëm në seancën gjyqësore. Teksa, vetë të akuzuarit mohojnë se nuk kanë bërë asnjë krim.

Sejfulla Bejaj ka folur për mediat, teksa mohon krimin e kryer, por e quan veten hero! Ata tregojnë se janë të pafajshëm dhe se e vërteta do të dali në dritë.

Të 5 efektivët Bledar Bufaj; Roland Cani; Ardit Alikaj; Sejfulla Beja; Besmir Mece, akuzohen nga prokuroria e Vlorës për shpërdorim detyre, ndërsa janë paraqitur sot në gjykatën e Vlorës për tu rivlerësuar masa e sigurisë, për tu parë nëse gjykata do të lejë të njëjtën masë si prokuroria ose jo. Gjyqtare e çështjes është Herila Cela, ndërsa prokurori i çështjes është Erjon Shqaqi.

“Ndalimi i tyre u bë pasi këta shtetas, me detyrë roje bregdetare të Forcës Detare, gjatë operacionit për goditjen e tentativës për kontrabandim në drejtim të Italisë̈, të migrantëve nga vendet e treta, në grykëderdhjen e Vjosës, dyshohen se gjatë evakuimit të personave në bordin e mjetit lundrues, kanë shpërdoruar detyrën, duke mos siguruar shoqërimin e të gjithë personave të evakuuar gjatë operacionit, konkretisht drejtuesin e mjetit lundrues (gomone), i cili ka mundur të largohej, shtetasin E. L.(A.), një ndër tre të arrestuarit nga Policia, në muajin janar”, thuhet në njoftimin e policisë.

Një prej familjarëve të njërit prej të akuzuarëve, Drita Beshani i bën thirrje autoriteteve për drejtësi dhe të lirojnë të akuzuarit, që sipas saj kanë mbrojtur jetë njerëzish dhe nuk meritojnë burgun.

“Nuk ka bërë asgjë, ka shpëtuar 55 jetë njerëzish, ka qenë në krye të detyrës. Qeveria të merret me skafistët me kriminelët, mos të merret me njerëzit e ndershëm. Djali im ishte me forcat e NATO-s, bëri stërvitje, nuk e lanë të zbritej në tokë të shplodhej, por e morën në burg sikur është kriminel. Sejfulla Bejas është djali im, nuk më ka bërë asgjë, jam krenare që ka mbrojtur jetën e e njerëzve, se nuk ishte i aftë ky shtet ti mbronte. Ata ishin 55 veta me 10 metër, në errësirë, 5 veta me 55 veta çfarë do bënin? S’kishin ca bënin, mbrojtën fëmijët që qanin, ulërinin, të djegur të përvëluar nuk merreshin me maskarallëqe. Djali im ishte ushtar. Drejtësi nuk ka! Të pestë janë familjarë, djali im nuk ka bërë asgjë! Krimineli që i di këto gjëra ai ta paguaje, mbrojnë kriminelët dënojnë njerëzit e ndershëm”, shprehet nëna e Sejfulla Bjas.

Të akuzuarit e mohojnë akuzën e shpërdorimit të detyrës, teksa njëri prej tyre, Bledar Bufaj është shprehur se: “Ngjarja ka ndodhur në 8 janar apo 9 janar, ndërsa në 9 Janar të 2004 vdiqën 20 veta ndërsa ne këtë radhë bëmë detyrën dhe i shpëtuam ata. Këta të pestë qe shikoni ju këtu janë heronj. Ec e shikoni në spital sesa shpëtuam ne në gjendje të rëndë”.

Teksa pyetet nga gazetari se për çfarë e akuzojnë, Bufaj përgjigjet: “Për shpërdorim detyre. Çfarë shpërdorimi detyre kam bërë unë që shpëtova jetë njerëzish!”

Top Channel