Izraeli bombardon Sirinë/ Qëllohen pozicionet e ushtrisë siriane pranë lartësive Golan

07/05/2021 01:58

Izraeli ndërmori gjatë natës sulme ajrore në jug të Sirisë, në provincën Quneitra raportoi media shtetërore siriane.

Bombardimet erdhën një ditë pasi një civil u vra dhe 6 të tjerë u plagosën në rajonin veriperëndimor të Latakiasë, bastion i njohur i minoritetit alavit të presidentit Bashar al Assad.

Agjensia shtetërore siriane e lajmëve, Sana, tha se të paktën një sulm izraelit në Quneitra u krye me helikopterë. Observatori sirian për të drejtat e njeriut me qendër në Britani pohoi dhe ai se ka pasur bombardime të shtetit hebre. Sipas Observatorit, bombat izraelite shënjestruan brigadën e 90-të të ushtrisë siriane dhe pozicionet e regjimit në afërsi të Lartësive Golan.

Izraeli rrallëherë konfirmon sulme specifike në Siri, por që prej fillimit të konfliktit të brendshëm në këtë vend në 2011-tën, forcat izraelite thuhet të kenë ndërmarrë me qindra sulme përtej kufirit. Vetëm në 2020-tën, besohet që ushtria e tij të ketë shënjestruar të paktën 50 objektivë.

Izraeli pretendon se po përpiqet të parandalojë Iranin, një aleat kyç i qeverisë siriane, që të fitojë ushtarakisht terren në pragun e derës së tij. Me mijëra paraushtarakë shiitë, të rekrutuar nga vende të ndryshme por aleatë të Iranit, janë zhvendosur në mbarë Sirinë në mbështetje të qeverisë së Assadit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA