Hetimet për Mediun, avokati i familjes Durda: Nëse çështja nuk shkon deri në fund me SPAK, do të shkojnë në Gjykatën e Strasburgut

06/05/2021 12:06

Avokati i familjes Durda, Dorian Matlija ka folur në “Breaking” pasi SPAK ka kërkuar rihapjen e hetimeve për ish ministrin e mbrojtjes Fatmir Mediu në lidhje me tragjedinë e Gërdecit.

Matlija thotë se është çështje shumë e rëndësishme pasi familjarët prej vitesh janë në kërkim të së vërtetës. Sipas tij, nëse nuk shkon çështja deri në fund, do t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut.

“Gërdeci është çështje shumë e rëndësishme për t’u zbardhur. Janë mbi 26 mijë faqe për çështjen e Gërdecit. Familjarët janë në kërkim të së vërtetës dhe kërkesat për rihapjen e hetimeve kanë nisur që prej vitit 2009.

Në fillim të vitit 2021 u dërgua kërkesa me shpresën që mund të veprojë ndryshe nga të tjerët dhe pas disa muajsh, SPAKU veproi. Nëse çështja nuk shkon deri në fund me SPAK do të shkojnë në Gjykatën e Strasburgut”, tha Matlija.

Rihapja e hetimeve nisi pas kërkesës së familjes Durda, të cilët humbën një djalë 6 vjeç në këtë tragjedi. Nga analizimi i pretendimeve në kërkesën për rihapjen e hetimeve, rezulton se ekzistojnë të gjitha shkaqet ligjore për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj Mediut dhe të rihapen hetimet ndaj tij për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim.

Prokuroria e Posaçme vlerëson se ndjekja penale për çështjen penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu nuk ka asnjë pengesë që të vazhdojë duke sqaruar se pengesa e autorizimit për procedim ka qenë e përkohshme në momentin kur është vendosur pushimi i çështjes, ndërsa tani kjo pengesë nuk ekziston.

Në njoftimin zyrtar thuhet se Prokuroria e Posaçme ka paraqitur në Gjykatën e Lartë kërkesë për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj Fatmir Mediut, e pushuar me vendimin nr.6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë dhe vijimin e proçesit gjyqësor ndaj tij, i akuzuar për veprat penale të parashikuara nga nenet 248 e 25 të Kodit Penal dhe nenet 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak.

Para zgjedhjeve të 25 prillit, Geraldo Durda, i cili humbi të vëllanë në tragjedinë e Gërdecit tha se drejtësia është e vonuar dhe se ish funksionarët e shtetit që duhet të mbanin përgjegjësi ishin pjesë e listës për zgjedhjet e 25 prillit. Sipas tij, Fatmir Mediu ish ministri i mbrojtjes që ka firmën e tij në atë që ndodhi në Gërdec, nuk duhet të jetë listën e kandidatëve për deputetë. Mediu renditej në vendin e 10 në listën e PD për qarkun e Tiranës.

Top Channel