Jemi mësuar që gratë që janë të përfshira në politikë, në pozicione të rëndësishme drejtuese, t’i shohim si gra të forta, që janë të mbrojtura nga pushteti që ato kanë.
Por për ta thyer këtë mit që ekziston në popullata të ndryshme dhe për t’i bërë pjesë të njerëzve të zakonshëm, artisti italian, AleXsandro Palombo ka vendosur të portretizojë si viktima të dhunës, pikërisht 7 gra të njohura në të gjithë botën.
Angela Merkel, Hillary Clinton, Michelle Obama, Alexandria Ocasio-Cortez, Brigitte Macron, Aung San Suu Kyi dhe Sonia Gandhi janë gratë që portretizohen si viktima të dhunës. Ato shfaqen në portret me shenja dhune, sy të nxirë, plagë të ndryshme, shenja këto të grave që pësojnë vazhdimisht dhunë fizike.
Autori krahas portreteve ka vendosur edhe sloganin “Vetëm pse jam grua”, duke përforcuar mesazhin se dhuna me bazë gjinore, ka si viktima në më të shumtën e rasteve gratë, ndërkohë që nuk njeh as racë, as fe dhe as pozitën që t’i ke në shoqëri.
Seria e punimeve të Alexsandro Palombo është blerë së fundmi sipas njoftimit që bën vetë artisti, nga Muzeu i Arteve Dekorative të Luvrit në Paris, duke u bërë zyrtarisht pjesë e koleksionit kombëtar. Fillimisht këto 7 vepra të artistit janë shfaqur në rrugët e Milanos, në nëntor të 2019 përpara se të niste pandemia.
Top Channel