Rriten frikshëm çmimet e apartamenteve/ Nela: Ja pse po shtrenjtohen banesat

05/05/2021 09:19

Kriza e shkaktuar nga pandemia nuk ka prekur sektorin e ndërtimit, sidomos në bregdet dhe në qendër të Tiranës, ku çmimet janë rritur me përkatësisht dyfishim në zonën e parë dhe 16 për qind në të dytën.

Ndërsa në shkallë vendi, në vitin 2020 çmimet e shtëpive u rritën mbi 11.3% krahasuar me vitin 2019.

Zonat ku kjo rritje u vu re më fort janë bregdeti, ku sipas anketës së Bankës së Shqipërisë, agjentët imobiliar raportojnë deri në dyfishim të çmimit dhe në Tiranë.

E ftuar në “Wake Up”, Juliana Nela, ‘Master Broker’ në sistemin imobiliar tregoi arsyet që kanë çuar në rritjen e çmimit të banesave.

“Arsyet e rritjes janë disa. Arsyeja kryesore do të themi është mungesa e një stoku të mirëfilltë në zonat qendrore me një kualitet të lartë ndërtimi dhe me zgjidhje të mira.

Pra, për një kohë të gjatë, kryeqyteti ka qenë i privuar nga leje ndërtimi në zonat qendrore më të preferuara, si Blloku, zonat pranë qendrës, pranë Bulevardit ‘Zogu i Parë’, pranë zonës së Liqenit.

Kjo kërkesë e akumuluar është dashur që të procesohet menjëherë me pronat e reja, të cilat janë në procesin e ndërtimit. Kjo është një ndër arsyet. Afër qendrës ka pasur një farë mungese të ndërtimit dhe kërkesa ka vazhduar të akumulohet ndër vite.

Arsye tjetër shumë e rëndësishme është që kostot e ndërtimit janë rritur konsiderueshëm. Është rritur kostoja e lejes së ndërtimit dhe përbën 12% të vlerës totale të projekti. Kemi edhe një rritje të kostos së tokës. Gjithashtu ka ndikuar edhe tërmeti, që e bëri sigurinë e shtëpisë dhe kualitetin shumë të rëndësishëm.

Dhe pandemia e bëri shtëpinë shumë të rëndësishme, sepse për një kohë njerëzit u mbyllën dhe e panë vështirësinë për një jetuar në një hapësirë të vogël. E panë vështirësinë për të jetuar disa breza në një çati”, sqaroi ajo.

Top Channel