Rama pret Komisionerin Varhelyi: Ishte zëri i arsyes për të sjellë vaksina në Shqipëri e rajon. Deri në gusht, vendi ynë merr të gjithë pjesën e akorduar

05/05/2021 10:17

Kryeministri Edi Rama ka pritur në Rinas Komisionerin për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, të cilin e falënderoi publikisht për dozat e vaksinës që kanë sjellë në Shqipëri dhe 2.2 milionë euro kontribuim për lëvrimin e vaksinave në të gjithë rajonin.

Rama theksoi se komisioneri ishte zëri i arsyes për të sjellë vaksinat në Shqipëri dhe rajon, si dhe shtoi se deri në muajin gusht, Shqipëria do të marrë të gjithë pjesën e saj të akorduar të vaksinave nga Bashkimi Europian.

Edi Rama: Sapo kemi përfunduar një takim shumë miqësor me komisionerin Varhelyi, i cili edhe njëherë tjetër ka provuar përkushtimin dhe mbështetjen jo vetëm për vendin tonë, por për të gjitha vendet e rajonit, duke qenë qysh në krye të herës zëri i arsyes në KE për të mos e lënë jashtë Ballkanin Perëndimor nga skema e shpërndarjes së vaksinave dhe ka arritur ta materializojë një punë të tij disa mujore.

Ka arritur ta materializojë një punë të tij disa mujore dhe natyrisht në mbështetjen e Presidentes Von der Leyen duke përcaktuar 651 mijë doza të vaksinës Pfizer të shpërndara për vendet e rajonit. Prandaj unë dua t’i shpreh mirënjohjen dhe dua ta falënderoj edhe publikisht për këtë kontribut të jashtëzakonshëm në këtë kohë të jashtëzakonshme dhe nga ana tjetër dua të nënvizoj faktin se falë komisionierit, KE u rikthye si motor i solidaritetit jo vetëm për planet e rimëkëmbjes, por edhe për vaksinimin e vendeve evropiane përfshirë në këtë rast 6 vendet e rajonit tonë. Nga ana tjetër, më vjen natyrshëm që të kujtoj këtu se komisioni ka mundësuar njëkohësisht kualifikimin e vendeve të rajonit, por në këtë rast flas për Shqipërinë, për përballimin e pasojave të shëndetësisë, përmes fondit të solidaritetit të BE, janë afro 1 milionë euro që i takojnë Shqipërisë.

Po ashtu komisioni ka miratuar edhe propozimin e paketës së asistencës mikrofinanciare në mbështetje të Ballkanit Perëndimor duke disbursuar një lot të parë prej 90 milionë eurosh dhe nga ana tjetër, shuma totale prej BE, prej 2.2. miliardë euro do të kontribuojë edhe për lëvrimin e vaksinave për rajonin, ndërsa tanimë kanë mbërritur në Shqipëri dozat e para dhe deri në gusht, Shqipëria do të marrë të gjithë pjesën e saj të akorduar të vaksinave.

Shqipëria bën pjesë si aktore në këtë proces dhe jemi shumë optimistë që tanimë shumë gjëra janë vënë në vijë dhe projektet e mëdha do të fillojnë të lëvizin në drejtimin e duhur me financimet e para. Edhe njëherë shumë faleminderit për gjithçka i dashur mik dhe mirënjohje për ardhjen këtu personalisht për të dëshmuar jo vetëm simbolikisht, por edhe faktikisht qëndrimin në krah të vendit tonë dhe të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Me kënaqësi po ia kaloj fjalën Komisionerit për t’ia shprehur jo vetëm rëndësinë e madhe të këtij momenti, por edhe shpresoj gatishmërinë për të lëvizur më tutje me një plan shumë më ambicioz që tani nuk është dëshirë, por plan me hapa konkretë që do t’i hedhim me mbështetjen e vazhdueshme të komisionerit dhe KE.

Top Channel