Presidenti Meta nderon sakrificat sublime të Dëshmorëve të Atdheut: Të angazhohemi për të bërë shumë më tepër që qytetarët shqiptarë

05/05/2021 11:19

Presidenti Meta nderon sakrificat sublime të Dëshmorëve të Atdheut: Të angazhohemi për të bërë shumë më tepër që qytetarët shqiptarë të gëzojnë të gjitha liritë, që u takojnë në vendin e tyre dhe që Shqipëria të meritojë sa më parë vendin e saj në Bashkimin Europian.

Me rastin e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve të Atdheut, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, bëri sot homazhe te Monumenti “Nëna Shqipëri”, ku vendosi një kurorë me lule dhe u përul me respekt përpara heroizmit dhe sakrificave sublime të të gjithë heronjve, të cilët dhanë jetën për lirinë dhe sovranitetin e Shqipërisë.

Pas ceremonisë solemne të nderimit dhe përkujtimit, Presidenti i Republikës theksoi:

“Sot në këtë ditë kaq të rëndësishme në historinë tonë, në Ditën e Dëshmorëve dhe të Heronjve, në ditën kur udhëheqësi i rinisë antifashiste Qemal Stafa dha jetën për lirinë e Atdheut, kujtojmë jo vetëm Qemal Stafën, por edhe Margarita Tutulanin, Vojo Kushin, Perlat Rexhepin dhe gjithë ato bij dhe bija më të mirat e kësaj toke, që bënë sakrificat më sublime për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë.

Sot është jo vetëm dita t’i nderojmë këta heronj dhe heroina të popullit tonë, por njëkohësisht edhe të angazhohemi, që të bëjmë shumë më tepër në mënyrë, që qytetarët shqiptarë të gëzojnë të gjitha liritë, që u takojnë në Atdheun e tyre, në mënyrë, që Shqipëria, të ketë vendin që meriton sa më shpejt në Bashkimin Europian dhe sidomos që të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë të kenë një të ardhme europiane këtu, në vendin e tyre.”

Top Channel