Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian mbërrin sot në Tiranë, pritet të takohet me Ramën dhe Bashën

05/05/2021 08:49

Ditën e sotme, në orën 10:00 do të mbërrijë në Rinas komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi.

Mësohet se fokusi kryesor i vizitës është ndihma e Bashkimit Europian për Shqipërinë për të përballuar pandeminë dhe dorëzimin e pjesës së parë të 145 mijë vaksinave të financuara nga BE.

Po ashtu Komisioneri do të takohet edhe më kryeministrin Edi Rama dhe më pas do të kenë një konferencë për shtyp. Në fund të vizitës së tij, eurokomisioneri Varhelyi do të takohet edhe me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Komisioneri u shpreh dje nga Shkupi se BE-ja mund të çelë negociatat vetëm me Shqipërinë, nëse Maqedonia nuk e zgjidh ngërçin me Bullgarinë.

Oliver Varhelyi vlerësoi se Tirana i ka plotësuar të gjitha kushtet për konferencën e parë ndërqeveritare.

“Duhet që të gjitha shtetet anëtare në tryezë të pajtohen për këtë, që do të thotë se duhet të gjejmë zgjidhje sa i përket Maqedonisë së Veriut.
Nëse është e mundur apo jo ndarja e dy shteteve, ky proces bazohet në meritë. Nëse i shohim arritjet e Shqipërisë, vlerësoj se ata kanë përmbushur të gjitha kushtet. Pra, nëse nuk ka zgjidhje sa i përket Maqedonisë së Veriut, mund të vijë momenti që ne ta konsiderojmë këtë opsion.
Shpresoj se nuk do të ndodh një gjë e tillë, ne patëm një bisedë shumë të rëndësishme me kryeministrin (Zaev) dhe ramë dakord që duhet të bëjmë progres dhe këtë duhet ta bëjmë për të dyja shtetet” tha Oliver Varhelyi.

Top Channel