Analiza. Ku gaboi PD? Ekspertja gjermane e politikës: PD duhet të riformatohet

05/05/2021 15:14

Duke analizuar fitoren e PS-së në zgjedhjet e 25 prillit, ekspertja e njohur gjermane Johanna Deimel theksoi se lufta e llogoreve mes partive PD dhe PS por edhe mes Edi Ramës dhe presidentit Ilir Meta e kanë helmuar klimën dhe kanë vështirësuar reformat.

Sipas saj, sistemi politik i përçarë thellë duket shumë rezistent dhe ndarja në dy kampe mes PS dhe PD është shumë dominuese, që të thyhet edhe pas kaq vitesh dhe ngjarjesh turbulente. Deimel flet për një luftë zgjedhore bosh nga ana e programit elektoral dhe shumë e personalizuar, që kryesisht operoi me denigrimin e kundërshtarit politik. Ajo rreshton sakaq edhe gabimet e demokratëve.

Johanna Deimel: Në fitoren e socialistëve luajti një rol të madh vetë opozita, që përmes bojkotit të saj parlamentar dhe zgjedhor jo vetëm solli një parlament jofunksional, por ajo nga fundi i vitit 2019 i hoqi vetes mundësinë për çdo lloj ushtrimi të ndikimit në nivel lokal. PD dhe Lulzim Basha e nxorën veten jashtë loje dhe thjesht i lanë skenën Edi Ramës si edhe burime institucionale dhe shtetërore. Fitorja e Edi Ramës kështu është me shtrirje të gjerë.

Deimel kujton se PD-ja tani fitoi vetëm në qarkun zgjedhor Shkodër. Sipas saj, ishte një gabim taktik që PD sërish doli bashkë në një fushatë me LSI-në, megjithëse pikërisht ky koalicion qeveritar u rrëzua në vitin 2013. Dhe PD-ja vetë ishte e përçarë mes atyre që qëndruan në parlament dhe atyre jashtë tij. Të larguarit, ish-demokratët si Topalli, Patozi, Hajdari, Shabani, i kanë kushtuar shumë vota PD-së, pa i dalë që me partitë e tyre të reja të kalonin kufirin minimal  të 1%. Edhe ata duhet t’i kishin bashkuar forcat, thotë analistja, e cila përmendi dhe thirrjet per largimin e Bashës.

Top Channel