Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Durrësit, Adrian Çela tregon arsyet, që sipas tij vërtetojnë se votat nuk janë vjedhur.

Sipas Çelës, akuzat e opozitës, pas daljes së rezultatit, se zgjedhjet janë manipuluar janë të pabaza.
“Deri të dielën nuk kishim asnjë votë të blerë. Të martën u ndanë mandatet në Durrës. Të mërkurën përfaqësues të opozitës thanë që janë vjedhur vota në numërim. Në numërim kanë qenë katër numërues, 2 nga PS, 1 nga PD dhe 1 nga LSI. Nëse ata mendojnë se aty është bërë pazar votash, në radhë të parë kanë fyer njerëzit e vet.

Një forcë politike, nëse nuk nxjerr mësime, nuk ka për të fituar. Duhet të nxjerrësh mësime nga dështimi. Duhet ta kërkojnë te vetvetja, mënyra si bën fushatë, si kërkuan njerëzit, si shanë.
Ata duhet të përgjigjen për dëmtimin e imazhit ndaj nesh, pa pasur asnjë fakt”.

Nga kutitë e votimit, që u vendosën në burgje, opozita kryeson ndaj Partisë Socialste. Çela e shpjegon këtë rezultat, me arsyen se “të burgosurit janë lënë të lirë të votojnë, si kurrë më parë”.
Në burgun e Fushë-Krujës dhe në burgun e Durrësit fitoi opozita. Kur ka ndodhur ndonjëherë që të fitonte opozita. Me zero fitonte opozita. Nuk është bërë fare presion, janë lejuar të votojnë. Nëse ka institucion ku mund të ushtrosh presion është burgu”.

Top Channel