Katër viktima dhe 75 raste të reja me koronavirus u raportuan të martën në Kosovë.
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, nga një viktimë u regjistrua në Drenas, Gjilan, Mitrovicë dhe Prishtinë.
Rastet pozitive, ndërkaq, rezultuan pas testimit të 1,312 mostrave.
Shifra prej 75 do të thotë se 5 për qind e të testuarve kanë dalë pozitivë.
Sipas IKSHPK-së, në 24-orëshin paraprak 546 pacientë u shëruan nga koronavirusi.
Me shifrat e fundit, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë shkon në 105,711, i viktimave në 2,191 dhe i të shëruarve në 96,012.
Raste aktive aktualisht janë 7,508.
Kosova ka nisur procesin e vaksinimit në fund të muajit mars, me 24,000 doza të vaksinës AstraZeneca, të siguruara nga programi Covax i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë konfirmuan të martën për Radion Evropa e Lirë se Kosova pritet të pranojë sot edhe 4,680 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech.
Top Channel