Nga deklaratat kundër ambasadores së SHBA te aktet e dhunës nëpër rrugë/ Firmëtarët për shkarkimin e Metës: Aktet e vetëgjyqësisë çuan në vrasjen e Pjerin Xhuvanit

03/05/2021 13:03
Presidenti Ilir Meta

Maxhoranca ka nisur sërish punën për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, ku 50 deputetë kanë dhënë firmën për largimin e tij ndërsa në dokumentin prej 41 faqesh rendisin provat, që sipas tyre, faktojnë që Kreu i Shtetit ka shkelur Kushtetutën.

Deputetët e PS, që kanë firmosur kërkesën, nga Taulant Balla, te Pandeli Majko e Spartak Braho, risjellin në vëmendje disa deklarata të forta të Presidentit Meta, të bëra para, gjatë dhe pas fushatës elektorale të zgjedhjeve të 25 prillit, duke përfshirë edhe deklaratat në drejtim të ambasadores amerikane, Yuri Kim.

Sipas ligjvënësve të majtë, këto deklarata të Kreut të Shtetit çuan deri në një humbje jete, duke iu referuar kështu vrasjes së Pjerin Xhuvanit në Elbasan, katër ditë para zgjedhjeve.

“Me sjelljen e tij, mesazhet drejtuar publikut me qëllim përkrahjen e nxitjen e vetëgjyqësisë, të cilat në Elbasan çuan edhe në humbje jete, terrorit, aktet e dhunës në rrugët e vendit në prag të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, mesazhet dhe sjelljet e intimidimit të votuesve, gjyqtarëve dhe prokurorëve, forcave të policisë, përfaqësuesve të lartë të misioneve diplomatike, çuan në cenimin e imazhit të Shqipërisë në botë dhe cenimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në rajon dhe më gjerë”, thuhet në kërkesën e PS.

Top Channel