Lëvizja Socialiste për Integrim, e njohur si një forcë politike me në fokus rininë, duhet të marrë një vendim të rëndësishëm për deputetët e ardhshëm, që do të ulen në parlament.

Gjithçka është në dorën e kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhit, e cila nga tre qarqe ku kandidoi, fitoi në dy në Fier dhe në Tiranë e duhet të zgjedhë mandatin e një prej tyre.

Por, deri atëherë ekzistojnë disa mundësi se kush do të jetë krah saj, në legjislaturën që vjen dhe ne po ju parashtrojmë të gjitha teoritë, edhe pse theksojmë se në fund, vendimi i përket kryetares e në të kundërt nëse ajo nuk e ndan mendjen deri në mbledhjen e KQZ-së brenda javës, do e parashikojë kryekomisioneri, Ilirjan Celibashi.

Në rast se Kryemadhi do të zgjedhë të përfaqësojë qarkun e Tiranës, ku ka marr edhe më shumë vota, nga 2436 zgjedhës, nënkryetari i kësaj partie, Petrit Vasili digjet dhe i hapet rruga politikanes së re, Kejdi Mehmetajt, e cila është renditur e dyta në Fier.

Situata komplikohet në rast se kryetarja e LSI-së do të zgjedhë të jetë deputete në qarkun e Fierit apo të Elbasanit, ku Petrit Vasili, edhe pse është i renditur i treti, ka marrë vetëm 361 vota preferenciale dhe ai sërish rrezikon, pasi në bazë të kodit zgjedhor do të ketë një rirenditje të listës mes kandidatëve me numrin më të lartë të votave parapëlqyese.

Në këtë mënyrë, në Tiranë shanse më shumë ka Përparim Spahiu, që ka 3402 vota, më shumë së të gjithë kandidatët e tjerë edhe se vetë Kryemadhi. Por, ky rregull nuk zbatohet në rast do të respektohet kuota gjinore duke i dhënë përparësi gjinisë më pak të përfaqësuar. Si rrjedhojë favorizohet Floida Kërpaçi, që është vajza më e votuar nga lista humbëse e LSI-së për Tiranën. E sigurt vetëm për LSI-në mbetet Erisa Xhixho që renditet e dyta, edhe pse ka thjesht rreth 1000 vota.

Ashtu si Monika Kryemadhi, e cila akoma nuk e ka përcaktuar mandatin që do të mbajë, edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, që arriti të sigurojë mandatin e deputetit në dy qarqet që kandidoi, në Vlorë dhe në Durrës ende nuk e ka bërë zgjedhjen.

Mbetet për t’u parë nëse Rama do të mbajë mandatin në qarkun e Durrësit, ku është më i votuar me mbi 15 mijë vota apo do të vazhdojë të jetë deputet i Vlorës, si në zgjedhjen e shkuar ku, këtë herë, mundi të merrte rreth 11 mijë vota.

Megjithatë, cilado qoftë zgjedhja e kryesocialistit, çështja nuk vështirësohet pasi zëvendësimi do të bëhet nga kandidati pas tij, që në ketë rast janë të dyja gra. Gara këtë herë brenda llojit është mes Ana Dhamos së Durrësit me rreth 2000 vota dhe Teuta Ramaj të Vlorës me mbi 1700 vota, ku fitimtaren do ta zgjedh Edi Rama.

Top Channel