Kadri Veseli kthehet në Kosovë nga Haga, babai i tij në gjendje të rëndë shëndetësore

02/05/2021 17:54

Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, është liruar për vizitë nga Haga ku po mbahej në paraburgim si i dyshuar për krime lufte.

Ai ndodhet në Spitalin e Mitrovicës “Dr.Sami Haxhibeqiri”, pasi babai i tij ndodhet në gjendje jo të mirë shëndetësore.

Veseli po ruhet nga forca të shumta të sigurisë, përfshirë policinë e EULEX-it.

Mësohet se Veseli do qëndrojë në Kosovë për tri ditë.

Ndërkaq, të premten një panel i Gjykatës së Apelit në Gjykatën Speciale ka refuzuar sot kërkesën për mbrojtje në liri të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët akuzohen për krime në luftën e Kosovës për liri.

Ky panel nuk ka marrë në konsideratë argumentet e ofruara nga mbrojtja e të akuzuarve, ndërsa duket qartazi se ka mbajtur linjën e njëjtë me Prokurorin Jack Smith dhe Gjykatësin Paraprak, Nicolas Guillou, ndonëse të tri këto organe do të duhej të funksiononin si të pavarura nga njëra-tjetra.

Apeli nuk u ka besuar as zotimeve të shtetit të Kosovës, me saktë nga Policia e Kosovës, se ka kapacitetet e mjaftueshmne për të ofruar siguri në mbikëqyrjen e të akuzuarve gjatë kohës së qëndrimit ntë tyre në lirim të përkohshëm.

Ndërsa, sot, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pjesëmarrësi i Betejës së Koshares, Hisen Berisha, ka thënë se pas Kroacisë dhe Sllovenia dhe Austria, japin garanci për lirimin me kusht të ish krerëve të UÇK-së.

Berisha, përmes një postimi në Facebook, tha se tani është në dorë të lidershipit të vendit të veprojnë institucionalisht.

“Pas Kroacisë tani edhe Austria dhe Sllovenia ofrohen garant të lirimit me kusht të të arrestuarve në Hagë. Radha është te Presidentja, Kryeministri apo Kryeparlamentari që të veprojnë institucionalisht. Për të ofruar garancë, së pari duhet treguar kredibilitet institucional dhe integritet personal”, ka shkruar Berisha.

Më 24 prill, Prokuroria e Specializuar në Hagë kishte paraqitur një aktakuzë për shqyrtim në Dhomat e Specializuara të Kosovës kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, si dhe disa personave të tjerë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Veseli ka qenë njëra ndër figurat kyçe të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. /Telegrafi/

Top Channel