I thanë se la nam, Anxhela Peristeri ka një përgjigje për të gjithë

02/05/2021 15:10

Anxhela Peristeri ishte e ftuar ekskluzivisht në “E Diell” këtë fillim Maji. Teksa këngëtarja e mirënjohur tregoi të gjithë rrugëtimin e saj për në Eurovizion, promovimin e këngës dhe emocionet, një tjetër moment që mori vëmendjen e moderatorëve, ishte sqarimi më në fund i disa keqkuptimeve që kishin lindur gjatë disa intervistave të Anxhelas këtë periudhë.

I pari ishte një lapsus gjatë intervistës në skype në anglisht që Anxhela po realizonte me portalin ndërkombëtar wiwibloggs. Teksa intervistohej, Anxhela nuk po e gjente fjalën në anglisht për mbylljen nga pandemia dhe bëri një gjest si sharrë i cili u komentua gjerë e gjatë nëpër portale në formë memesh dhe titujsh bombastikë.

“Si ka mundësi që në 30 minuta intervistë, portalet të fokusohen vetëm tek një detaj që unë s’po e kujtoja për momentin dhe ndaj e bëra me atë shenjë” – sqaron Anxhela.

“Ne nuk kemi shkuar në Eurovision për të treguar sa mirë dimë të flasim, por sa mirë dimë të këndojmë edhe pse në fakt flas 5 gjuhë të huaja” – tha ajo.

Momenti tjetër ishte per pjesëmarrjen e saj në një programet më të ndjekura në Greqi, “Eutixite” që transmetohet në Open TV disa javë më parë.
Fillimisht Anxhela sqaroi deklaratën e saj dhënë për televizion publik grek ERT1 gjatë edicionit të lajmeve për origjinën e saj:

“Po e sqaroj. Unë jam shqiptare, jam lindur në Shqipëri. Prindërit e mi janë lindur dhe rritur në Shqipëri, por siç e kam thënë gjithnjë, kam një prejardhje nga stërgjyshi nga Greqia, por kjo nuk do të thotë që jam greke.” – deklaroi ajo.

Më pas Peristeri tregoi se si u ndje gjatë programit të mesditës në Greqi dhe reagimet pas tij.

“Pati një lloj tendence të moderatores për të më prezantuar si greke, por që e korigjova menjëherë atë duke i thënë se jam shqiptare” – u shpreh ajo.
Më tej Anxhela rrëfeu: “Kam kënduar për herë të parë ‘Karma’ në Greqi në gjuhën shqipe, madje kam marrë shumë mesazhe për këtë fakt, pati super jehonë, emigrantët shqiptarë ishin përmalluar e mallëngjyer të gjithë…” – përfundoi komentin e saj artistja shqiptare.

Anxhela Peristeri këndon në Eurovizion në datën 20 Maj 2021, e 11-ta në radhë.

Top Channel