Programi “Dua të të bëj të lumtur” është një ndër programet më të ndjekur çdo të shtunë për shkak të historive dhe temave të ndryshme që trajton duke e mbajtur publikun shqiptar të mbërthyer përpara ekranit të “Top Channel”.
Për të realizuar këtë program punon një staf i madh, ku pjesë e të cilit janë edhe asistentët e vegjël të Arbana Osmanit. Ata çdo të shtunë plot ëmbëlsi dhe pozitivitetin që i karakterizon i transmetojnë mesazhe të veçanta personazheve të historive.
Mbrëmjen e sotme, ndryshe nga herët e tjera, disa nga asistentët e vegjël të Arbanës, pikërisht Eroni, Deoni, Aria dhe Tea, ishin protagonistët e një ndër historive që shkaktoi shumë të qeshura dhe na bëri që të përjetojmë dhe njëherë fëmijërinë. Në studio kishin ardhur dy asistentet e vogla. Aria dhe Tea të cilat dëshironin që të surprizonin miqtë e tyre, Eronin dhe Deonin Aria dhe Tea rrëfyen se ato janë njohur me djemtë nëpërmjet programit “Dua të të bëj të lumtur” dhe kanë krijuar midis tyre një miqësi tepër të ciltërt dhe të ngushtë.
Princeshat e vogla nuk hezituan të shprehnin përzemërsinë që kishin për Eronin dhe Deonin në forma nga më të ndryshmet. Për këtë arsye ato kishin menduar disa surpriza për ta, si recitimi i poezive që kishin shkruar vetë, dedikimi i disa këngëve dhe vizatimi i porteteve të djemve.
“Eron dhe Deon ju kemi ftuar këtu për t’ju thënë që ju jeni miqtë tanë më të ngushtë dhe se ju duam shumë!”,- ishte mesazhi i veçantë i princeshave të vogla për Eronin dhe Deonin.
Djemtë nga ana tjetër e studios ishin tepër të surprizuar dhe nuk e prisnin që këtë ftesë t’ua kishin bërë Aria dhe Tea. Eroni dhe Deoni rrëfyen disa nga momentet më të bukura që kishin me vajzat në prapaskenë. Madje Eroni tha: Unë dua t’i them Arias që është shoqja ime më e ngushtë dhe që e dua shumë. Madje e kam shumë qejf sepse kur më puth më ngelin buzët e saj në faqe se e ka faqen si petull.
Në fund princeshat e vogla i ftuan Eronin dhe Deonin që të kërcenin së bashku në një vallëzim, një ndër vallëzimet më të bukura që kemi parë në studion e programit “Dua të të bëj të lumtur”. Gjatë kësaj historie nuk mungoi humori, batutat por gjithashtu edhe naiviteti dhe çiltërsia e fëmijëve që të ngrohin shpirtin siç vetëm ata dinë ta bëjnë.
Top Channel