Lezhë/ I publikoi videon ku deklaronte se kishte marrë lekë për vota, 4 persona dhunojnë dhe kërcënojnë personin që e filmoi

01/05/2021 09:26
Ilustruese

Katër persona janë vënë nën prangat e policisë së Lezhës, pasi kanë dhunuar dhe kërcënuar me jetë shtetasin Ylli Kacoli, 38-vjeç, për të bërë deklarim të rremë në lidhje me një vide të publikuar.

Këta katër persona, shtetasit Mirash Paplekaj, 54 vjeç, Gëzim Paplekaj, 50 vjeç, Donald Paplekaj, 22 vjeç dhe Jetmir Paplekaj, 29 vjeç janë arrestuar nga policia pasi kanë kërcënuar me jetë 38-vjeçarin, për të bërë deklarim të rremë në polici.

Deklarim ky, që kishte lidhje me një video që ai kishte filmuar dhe publikuar në rrjete sociale, ku njëri prej personave të sipërpërmendur shfaqet duke thënë se kishte marrë lekë në këmbim të votave.

Pas publikimit të kësaj video, ata e kanë kërcënuar, dhunuar dhe detyruar të bëj një tjetër video për të përgënjeshtruar videon e publikuar më herët.

Top Channel