KQZ certifikon Kukësin/ Të martën nis me 11 qarqet e tjera, Celibashi: Nëse s’ka ankimime, e mbyllim për 4-5 ditë

01/05/2021 15:03

Komisioneri shtetëror i zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, nisi certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të 25 Prillit.

Qarku Kukës ishte i pari që mori certifikimin. KQZ konstatoi se, nga krahasimi i tabelave të rezultatit për çdo qendër votimi me tabelat e rezultatit të ZAZ-së përkatëse dhe rezultati elektronik në sistem, nuk u vërejtën mospërputhje të shifrave.

Top Channel pyeti zotin Celibashi se kur mund të përfundojë procesi certifikimit edhe për 11 qarqet e tjera.
Duke filluar nga e marta e javës që vjen do të vazhdojmë me shqyrtimin e tabelave të rezultateve dhe për 11 qarqet e tjera. Nëse nuk do të ketë asnjë ankimim nga subjektet zgjedhore, në lidhje me këto vendime në KAS, atëherë shumë shpejt, jo më shumë se 4-5 ditë do të kemi miratimin e rezultatit përfundimtarë për të gjitha qarqet”, tha Celibashi.

KQZ publikoi edhe të dhënat për votat e pavlefshme. Në rang republike, numri total i fletëvotimeve të pavlefshme është 83.028 ose 5 %.

Tirana mban rekordin me 18.422 fletë të pavlefshme pasuar nga Fieri me 9.375 dhe Durrësi 7.808.
Kukësi ka numrin më të vogël të fletëvotimit të pavlefshme, 2.188. Po të shikojmë statistikat e zgjedhjeve të shkuara parlamentare rezulton se në ato të 2013 tës, votat e pavlefshme ishin 1.39% ndërsa në vitin 2017, 1.98 %.

Kjo pavlefshmëri votash u prodhua në një kohë kur votohej vetëm për partitë polike, ndryshe nga këto zgjedhje të 2021-shit, kur votuesi shqiptarë krahas partisë, i duhej të zgjidhte edhe kandidatët.

Top Channel