Në burgje fitoi opozita/ Historikisht fitonte qeveria. Opozita dilte me zero vota

30/04/2021 15:20

Zgjedhjet parlamentare, vetëm me votuesit e burgjeve i ka fituar opozita e cila ka marrë shumicën e votave, 808 përkundër 718 që ka marrë partia socialiste.

Ky është rezultati final i zgjedhjeve të 25 prillit për 2651 të burgosurit me të drejtë vote. Një pjesë e të burgosurve për krime të rënda as nuk u lejua që të votojë dhe bëhet fjalë për disa qindra persona.

Ndërsa në total në votime janë paraqitur 1842 të burgosur. Rezultati final tregon se partia demokratike është forcë e parë me 723 vota dhe bashkë me LSI qe ka 85 vota arrijnë në 808 vota. Partia socialiste ka marrë 718 vota dhe socialdemokratët 31 vota.

Ndërsa vota e të burgosurve që votuan në qarkun e Tiranës është ndarë në 227 për PD dhe me 35 votat e LSI, opozita shkon në 263 vota dhe partia socialiste ka 164 vota.

Kjo është hera e parë që vota në burgje është e ndarë dhe atje nuk fiton partia në pushtet. Në zgjedhjet e kaluara në 2009 apo në 2013, demokratët ishin forca e parë dhe ish opozita socialiste kishte vota sa gishtat e dorës.

Top Channel