Mbyllet numërimi i votave në të 12 qarqet/ Kush e theu herësin e siguroi mandatin dhe cilët mbetën jashtë PS-së. Ja si renditen krerët e partive

30/04/2021 12:26

Procesi i numërimit të votave preferenciale të kandidatëve për zgjedhjet e 25 prillit ka përfunduar. Lajmin e ka bërë të ditur gazetarja e ‘Top Channel’, Kristi Gongo, e cila theksoi ndër të tjera se në sistemin e KQZ-së kjo gjë nuk është pasqyruar, por se kemi të bëjmë vetëm me një vonesë teknike.

Kush theu herësin?

Kandidatët që kanë mbetur jashtë listave fituese janë të shumtë, në secilën do parti, por në qarkun më të madh, Tiranë, nga radhët e PS-së, ndër emrat më të njohur në politikë që kanë mbetur jashtë janë: Pandeli Majko dhe Mimi Kodheli.

Majko ishte i renditur i 19-ti në listë, ndërsa PS siguroi në Tiranë 18 mandate. Kurse Kodheli ishte e renditur e 21-ta, por nuk arriti që të thyente dot herësin, sikurse Fatmir Xhafaj. Ky i fundit ndonëse ishte renditur i 23-ti arriti të thyente herësin duke i marrë kështu vendin edhe kryetarit të PS-së në Tiranë, Ervin Bushati.

Po ashtu edhe kandidati Ornaldo Rakipi, nga radhët e PS-së arriti që të thyente herësin dhe t’i merrte vendin Fidel Yllit, duke e nxjerrë këtë të fundit nga radhët e deputetëve.

Ndërsa nga radhët e PD-së, herësin e theu në Elbasan kandidati Luçiano Boçi, i cili arriti që t’i merrte vendin kandidatit Eugen Isaj.

Sa vota morën krerët e partive kryesore?

Kreu i Partisë Demokratike dhe koalicionit opozitar, Lulzim Basha ka mundur të sigurojë më shumë vota se tre kundërshtarët e tjerë politikë, Edi Rama, Tom Doshi dhe Monika Kryemadhi.

Lulzim Basha, i cili kandidonte i pari në Tiranë ka siguruar 16,073 vota, ai ndiqet nga kryeministri Edi Rama, që ka kandiduar në Vlorë dhe Durrës duke siguruar 15,871 vota, pas tij vjen Tom Doshi, kreu i PSD-së me 7,886 vota dhe në fund mbetet kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi me 2,436 vota, një numër ky relativisht i ulët.

Top Channel