Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka pranuar propozimin e Komitetit Teknik të Ekspertëve dhe javës tjetër do të rihapen shkollat për t’i dhënë fund mësimit online.

Kushi bëri me dije se nga fillimi i javës tjetër, të gjithë do të kthehen në shkolla duke respektuar masat anti Covid. Ndër të tjera theksoi se maturantët duhet të shfytëzojnë në maksimum këto javë për të plotësuar mangësitë që janë shkaktuar gjatë mësimit online.

“Jam sot këtu për t’ju njohur me një vendim të rëndësishëm që kemi marrë pas rekomandimit të komitetit të ekspertëve. Procesi mësimor për të gjithë nxënësit të sistemi parauniversitar do të zhvillohet në mjediset e shkollave.

Mjediset tona janë gati për këtë skenar që nga fillimi i javës tjetër për të ruajtur masat e higjienës dhe distancimit sikurse janë përcaktuar nga MSH. Njësoj si në fillim të këtij viti shkollor do lihet në fleksibilitetin e shkollave për të hartuar specifikisht grafikon mbi zhvillimin e procesit mësimor qoftë me një, dy apo më shumë turne.

RTSH Shkolla dhe Akademi.al do vijojnë të jenë në dispozicion të tyre. Më lejoni të falenderoj të gjithë mësuesit dhe stafet tona në institucionet arsimore që kanë treguar përkushtim. Kemi përpara sfidën e madhe të provimeve të maturës dhe mbylljen me sukses të këtij viti shkollor. Shfrytëzoni këto javë për të plotësuar mangësitë që janë shkaktuar gjatë mësimit online.

Mirënjohje dhe për prindërit, durimi juaj na ndihmoi ta kapërcejmë këtë sfidë. Ne ja dolëm me sukses vetëm falë bashkëpunimit dhe solidaritetit. Është akoma i nevojshëm respektimi i protokolleve shëndetësore për të ruajtur shëndetin dhe për të fituar këtë luftë të gjatë”, u shpreh Kushi.

Komiteti i Ekspertëve i bën Ministrisë së Arsimit, pasi ka vlerësuar situatën e Covid 19 ka propozuar që nxënësit e shkollave te sistemit parauniversitar të kthehen nëpër shkolla, jo më ‘online’.

Top Channel