Gruaja i braktisi, burri shiste gjak për të ushqyer fëmijët/ Pas 5 muajsh çifti ribashkohet, ja çfarë thonë në “Shqipëria live”

29/04/2021 13:20

Historia e Armenitës dhe Manuel Rrapushit, preku publikun, kur u transmetua në “Shqipëria live”, disa muaj më parë.

Manuel Rrapushi tregoi në tetorin e vitit të kaluar, se gruaja e braktisi dhe i duhet të shiste edhe gjak, për të ushqyer dy vajzat e vogla. Por, më vonë, në pamundësi për t’u kujdesur për to dhe pasi tërmeti i dëmtoi banesën, i dërgoi në shtëpinë e fëmijës. “Ajo donte të largohej nga fshati për të shkuar drejt Tiranës, nuk kujdesej sa duhet për vajzat”, tha atëherë për gruan.

Ndërsa, Armenita, rrëfeu më vonë në “Shqipëria live” se u largua për shkak të dhunës. “Më dhunonte, një herë humba ndjenjat, i kërkova ndihmë dajës, i thashë të lutem hajde më merr”.

Por, sot, ata janë përsëri bashkë dhe mendojnë të rinisin bashkëjetesën, në fshatin Qafëzezë të Ersekëa.

Prej tre ditësh, Armenita është në shtëpi. “Gazetarja e Top Channel na ka pyetur vazhdimisht, u interesua, ajo ka qenë shkaku i parë që u bashkuam”, tregon Manueli, duke shtuar se i kërkoi falje bashkëshortes. “I kërkova disa herë të falur, i thashë që nuk të përsëritet asgjë. I kam thënë vetes që nuk rrihet vetëm, duhet gruaja, fëmijët”.
Pyetjes, nëse e kishte marrë malli, i përgjigjet, “Jo shumë, por jashtëzakonisht mirë”.
Armenita shprehet se e ka falur burrin. “Manueli më njoftoi në darkë, folëm bashkë, më tha më fal. E kam falur për çdo gjë se nuk mund të braktisnim fëmijët”.

Megjithatë, vajzat janë akoma në shtëpinë e fëmijës. Çifti tregon se do të rregullojë disa kushte në shtëpi dhe do t’i marrë, ndërkohë që një person anonim, pasi ka ndjekur historinë në emision, vendosi t’i dërgojë një ndihmë ekonomike Manuleit, që të kujdeset për vajzat.

Top Channel