Partia Socialiste thyen për herë të parë pas 20 vitesh një prej bastioneve më të forta të Partisë Demokratike në Qarkun e Tiranës, Bashkinë e Vorës. Drejtuesi politik i PS Erion Veliaj ka deklaruar se në këtë bashki, Partia Socialiste ka fituar bindshëm me plot 54% të votave. Bastioni historik i PD, e cila megjithatë e kishte lënë në mëshirë të fatit të gjithë zonën mes Tiranës e Durrësit në dy dekada, është kthyer majtas falë fushatës intensive të drejtuar nga Veliaj edhe në këtë bashki, si drejtues i të gjithë qarkut më të madh të vendit.
“Kemi pritur 20 vite për ta bërë këtë lajmërim. anë qenë 20 vite ku ne kemi qenë në opozitë, nuk jemi dorëzuar, jemi rrëzuar jemi ngritur por mund të them me plot gojën që pas 20 vitesh PS sot ka fituar në Vorë me 54%. Dua të falenderoj të gjithë qytetarët e Vorës që zgjodhën ndryshimin, zgjodhën si në Vorë, si në Prezë si në Bërxullë, si në Domje një alternativ që prej 20 vitesh nuk ishte forca përfaqësuese e tyre në Vorë.
Di t’ju them gjithë atyre që morën një shans, vunë një besim në shtëpinë tonë politike që nuk do zhgënjehen. Ne do ju shërbejmë me shumë dinjitet,” u shpreh Veliaj.
Ai falënderoi të gjithë ata që ndihmuan në fitoren e kësaj bashkie, por nga ana tjetër u zotua që do u shërbejë të gjithëve njëlloj, edhe atyre që nuk mendojnë dhe votojnë majtas.
“Të gjithë atyre burra e grave që kanë shërbyer gjithë këto vite mbi dy dekada në Vorë për PS gjithmonë të nënshtruar, gjithmonë në opozitë, inferiorë, mundi juaj u shpërblye. Për të gjithë ata që mendonin që Vorën e kishin në xhep, e që kishin var xhaketën, që do prisnin duar e këmbë në Vorë për parti di tu them që ne do u shërbejmë të gjithëve njësoj dhe kjo retorikë nuk shkon. Edhe atyre që mendojnë ndryshe nga ne, do t’ju them që do ju shërbejmë me shumë përulësi. Një nga mesazhet që dua tu jap është se do jemi si në bashki ashtu dhe në parlament ku do i përfaqësojmë të gjithë edhe të majtë edhe të djathtë,” deklaroi Veliaj.
Top Channel