Doktorët në Indi sulmohen nga të afërmit e pacientëve pas ‘kolapsit’ të sistemit shëndetsor nga pandemia (fotot)

27/04/2021 17:32

Pamje nga India tregonin sot doktorë në spitalet e vendit që sulmoheshin nga të afërm të pacientëve dhe viktimave te Covid-19, prej pasojave të valës së dytë të pandemisë.

Në disa regjistrime nga kryeqyteti Delhi, një grup burrash shiheshin që sulmonin doktorët me një shkop të gjatë, pasi i afërmi i tyre 67-vjeçar kishte vdekur në dhomën e pritjes prej mungesës së shtretërve në repartin e emergjencës.

Spitali Apollo ku ndodhi sulmi mëngjesin e sotëm, tha se disa doktorë ishin lënduar gjatë përleshjes, por që gjithsesi ishin kthyer në detyrë, prej numri të madh të pacientëve që prisnin.

Ndërsa në pamje të tjera të xhiruara në Pune javën e kaluar tregohej doktori 25-vjeçar Siddhant Totla, që rrihej me shkelma e grushte nga të afërmit e një 65-vjeçari që vdiq nga sëmundja.

Mediat perëndimore thonë se sistemi shëndetësor i Indisë është pranë kolapsit nga ashpërsia e valës së dytë të koronavirusit, teksa vendi raporton mbi 300,000 raste të reja çdo ditë dhe rreth 2,700 vdekje vetëm në 24 orët e fundit.

Mes paralajmërimeve se infeksionet po nxiten nga një variant i ri vrasës, mjekët dhe autoritetet në Pakistanin fqinjë tremben se të ardhshmit në radhë mund të jenë ata.

“Duket qartë që mund të kemi një situatë si në Indi”, tha Dr Muhammad Suhail i kompleksit spitalor Hayatabad. Deri tani Pakistani ka raportuar rreth 4,500 infektime të reja në ditë.

“Pakistani dhe India kanë të njëjtat probleme. Në të dyja vendet njerëzit nuk po ndjekin masat parandaluese”, shtoi ai.

Pakistani ka nxjerrë në rrugë ushtarë të armatosur në rajonin e Lahore për të përforcuar zbatimin e masave të koronavirusit dhe orën policore nga 18.00 e më vonë.

FOTO GALERI
2/9
15-20 njerez jane mbledhur jashte spitalit per te kerkuar llogari

Top Channel