Presidenti Ilir Meta i bëri sot thirrje prokurorisë dhe policisë të çojnë përpara hetimet e krimeve të kallëzuara më parë që të parandalojnë zhvillime të tjera gjatë orëve në vijim.
Nga Shijaku, presidenti Meta deklaroi se procesi zgjedhor edhe në zonën e Shijakut po shkon normalisht dhe pjesëmarrja e votuesve është shumë e lartë.
Një informacion mbi një incident në një nga qendrat e votimit të fshatit Hardhishtë ka rezultuar i pasaktë, por thjesht një problem teknik i tejkaluar. Meta i ftoi të gjithë qytetarët e Shijakut dhe të mbarë Shqipërisë të votojnë masivisht e të shprehin vullnetin e tyre në këtë ditë.
I pyetur nga TCh nëse ka dijeni mbi incidente në zona të tjera të vendit ai u shpreh:
“Nuk mund të flasim për incidente. Ka ndonjë tentativë aty- këtu, po për këto raste unë flas me drejtorin e SHISH-it dhe këshilltarët e mi që janë në terren. Ne jemi këtu për të parandaluar e dekurajuar çdo përpjekje që krijon tensione artificiale dhe dëmtojë lirinë e qytetarëve për të votuar sipas bindjeve të tyre. Njëkohësisht është e rëndësishme që prokuroria dhe policia të vazhdojnë hetimet e krimeve të kallëzuara më parë qe të dekurajojnë çdo përpjekje në orët që vijnë, qoftë gjatë votimit, qoftë gjatë numërimit. Të gjithë komisionerët dhe votuesit kanë përgjegjësi historike që të mos hidhet asnjë fletë kot e të mos votohet dy herë e që të kemi zgjedhjet model që do na çelin negociatat me BE dhe të fitojmë kohën e humbur se jemi një popull. 100 % me orientim pro-europian, sepse jemi europian dhe sot është dita ta tregojmë këtë”, tha Meta.
Top Channel