Gazment Bardhi, i cili renditet i pari në listën e kandidatëve për deputetë në qarkun e Elbasanit e ka cilësuar fitore të madhe ditën e sotme.
Në deklaratën e tij ku dukej i lumtur teksa ndiqej nga simpatizantë demokratë, i ka bërë ftesë PS që të caktojë numëruesit dhe të fillojë sa më shpejt procesi i numërimit në mënyrë që rezultati të zbulohet sa më shpejt.
“Kjo e sotmja është fitore e madhe për Shqipërinë, për Elbasanin dhe gjithë qarkun e Elbasanit. Unë dua të falënderoj çdo qytetar të Elbasanit, Librazhdit, Prrenjasit që besuan projektin e PD, u përkushtuan gjatë këtyre ditëve në fushatën tonë shembullore. Ka qenë një fushatë e bazuar tek rinia, tek forca dhe energjia e tyre, prandaj kam vetëm një apel, të nisim sa më parë procesin e numërimit. Ftoj PS t’i caktojë numëruesit e saj në KZAZ-të ku jemi aktualisht dhe të jeni të sigurt që sot çdo qytetar i Elbasanit ka ndezur një dritë të re shprese për veten, familjen dhe fëmijët e tyre”, tha Bardhi.
I pyetur në lidhje me deklaratën e PS për projeksionet e mandateve dhe për festën që bëri më parë në Elbasan, Bardhi tha:
“Unë nuk komentoj deklaratat e humbësve, jam këtu për t’i dhënë një mesazh të qartë falënderimi cdo qytetari të Elbasanit dhe të gjitha bashkive brenda qarkut tonë. Faleminderit që besuat në projektin tonë, faleminderit që u bëtë pjesë e ndryshimit në të cilën Shqipëria ka pasur nevojë jo sot, por gjatë këtyre 8 viteve.
Unë sapo bëra thirrje për të nisur sa më parë procesin e numërimit, për të nisur sa më parë një proces model dhe të qetë të numërimit. Ftoj PS të caktojë numëruesit dhe të ketë besim tek numëruesit e saj. Apeli im i vetëm është të nisë sa më parë procesi i numërimit, t’i ofrojmë Elbasanit një model të qetë dhe korrekt numërimi.
Kjo e sotmja është fitore e madhe për Shqipërinë dhe Elbasanin. Të nisim sa më parë qetësisht dhe në përputhje me ligjin procesin e numërimit. Kjo është e vetmja festë që mund të bëjmë. Sot ka fituar Elbasani, sot ka fituar Shqipëria.”
Top Channel