Megjithë rihapjet, mijëra protestojnë në Londër kundër masave kufizuese të qeverisë (fotot)

24/04/2021 18:03

Mijëra protestues u mblodhën sot në Londër duke brohoritur “Bashkohuni për Liri!” kundër kufizimeve të pandemisë, vaksinave apo pasaportave, megjithë rihapjet e bareve, dyqaneve dhe palestrave.

Me fishekzjarre dhe pankartat ku thuhej “Liria është e panegocjueshme”, protestuesit pa maska mbanin “shiringa” gjigande llastiku, për të luftuar ato që quanin “vaksinime të detyrueshme.”

Mes tyre ishte ish-lideri i partisë laburiste Jeremy Corbyn dhe i vëllai Piers, i cili ka organizuar dhe marrë pjesë në disa marshime kundër politikave të Covid 19.

Turmat nuk i vunë veshin thirrjeve të policisë për të mos u grumbulluar në grupe të mëdha dhe marshuan përmes kryeqytetit.

Ndërkohë policia britanike është zotuar të reagojë ndaj çdo sjelljeje anti-sociale në fundjavën e dytë të “lirisë” në Britani, teksa temperaturat në Londër kanë arritur në rreth 20C.

Organizatorët e protestës inkurajonin pjesëmarrësit të “bënin sa më shumë zhurmë” gjatë mitingut por “të shmangnin krijimin e turmave”.

Ata instruktonin gjithashtu njerëzit të “lidhnin krahët nëse policia tentonte të ndërhynte”.

Ata thanë se qëllimi ishte të luftojnë masat e koronavirusit dhe “normalen e re”.

Zhvillimi vjen në një kohë kur rreth gjysma e britanikëve, më shumë se 33.4 milionë kanë marrë vaksinën kundër Covid 19.

Më 12 prill në vend u hapën pub-et, restorantet, palestrat e dyqanet ‘jo-esenciale’, së bashku me kopshtet zoologjike, parqet dhe floktoret.

Masat pritet të lehtësohen më tej më 17 maj, kur britanikët do të lejohen në hapësirat e brendshme të bareve, me heqjen e pritur te te gjitha kufizimeve ne qershor.

Qeveria kërkon aktivizimin e pasaportave Covid prej 17 majit, kur rinis udhëtimi ndërkombëtar, me qëllim evitimin e karantinës për udhëtarët.

Por grupet e të drejtave thonë se kjo krijon një shoqëri me dy kategori, që diskriminon kundër të varfërve, emigrantëve dhe minoriteteve etnike.

Kjo e fundit ishte objekti kryesor i protestës së sotme.

FOTO GALERI
6/19
Policia qendron ne gatishmeri ne proteste

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA