Dritë jeshile për Johnson & Johnson, vaksina kthehet në përdorim!

24/04/2021 10:54

Rregullatori shëndetësor në Shtetet e Bashkuar vendosi ta heqë bllokimin  11-ditor për vaksinën kundër COVID-19 të prodhuar nga kompania Johnson & Johnson, por tha se në paketimin e saj do të shtohet një paralajmërim se kjo vaksinë mund të shkaktojë mpiksje të gjakut.

Qendra amerikane për Kontrollin dhe parandalimin e Sëmundjeve e kishte miratuar më herët vaksinën për përdorim. Por, 15 prej personave që e morën atë, pësuan  mpiksje serioze të gjakut. Shumica ishin gra të moshës deri në 50 vjeç. Vendimi i fundit nënkupton se të paktën dhjetë milionë doza të Johnson & Johnson që gjenden në fabrikën e kësaj kompanie në Holandë, do të mund të dërgohen menjëherë në SHBA.

Po gjatë kësaj jave, edhe rregullatori europian i barnave i hoqi kufizimet për këtë vaksinë. Ky institucion tha se edhe Johnson & Johnson, por edhe vaksina e AstraZenecas rrallë shkaktojnë tromboza, ndërsa theksoi se përfitimet nga vaksinat janë më të mëdha se rreziqet. Vaksina e Johnson & Johnson administrohet përmes një doze të vetme. Para se të pezullohej për përdorim, në SHBA këtë vaksinë e kishin marrë pothuajse tetë milionë persona.

 

Top Channel