Dënohen për skllavëri çifti i pronarëve/ I premtuan punë filipinases por e mbajtën tre vjet shërbëtore (fotot)

24/04/2021 20:55

Një grua është mbajtur si skllave për tre vjet në një shtëpi në Australi, nga një çift që e kërcënonte me çdo mënyrë që të mos largohej nga vendi.

Viktima ka jetuar në jug Sydney në shtëpinë e çiftit Shiela e Joshua McAleer, pronarë të një restoranti e disa bizneseve te tjera, nga viti 2013 deri në 2016.

Ajo u josh nga bashkëshortët të vinte në Australi nga Filipinet, pasi ata e ndihmuan të siguronte një vizë tre-mujore. Gruaja që nuk kishte udhëtuar kurrë më parë, pa shansin e jetës së saj për të siguruar para për familjen.

Por sapo ajo mbërriti në Australi, e gjeti veten duke punuar të paktën gjashtë ditë në javë dhe u ndalua të takohej me njerëz të tjerë.

Asaj i rekomandohej të mos takohej me filipinase të tjera, iu ndalua të kishte të dashur dhe u urdhërua të përdorte një emër të rremë në publik.

Kur koha e vizës së saj po mbaronte, gruaja kërkoi të largohej, por bashkëshortët i thanë se nuk mund ta bënte këtë derisa të kishte paguar shpenzimet e udhëtimit të saj, raporton news.com.au .

“Nëse nuk më paguan paratë e mia, unë njoh njerëz në Filipine, si në polici edhe më lart, që mund të të lëndojnë ty dhe familjen tënde”, e kishte kërcënuar çifti gruan e re.

Ndërsa kur gruaja nuk punonte në shtëpi si shërbyese ose duke u kujdesur për fëmijët, ajo dërgohej të punonte në restorantin “filipinas” të çiftit ose në një prej bizneseve të tjera të tyre, përfshi dhe dyqanin e ushqimeve.

“Unë kur erdha nuk e dija se duhet të punoja 24 orë në ditë. Dhe nuk jam paguar për punën time. Ndjehesha si një skllave por nuk thashë asgjë. Nuk kisha fuqi të ndryshoja situatën time”, ka dëshmuar viktima në deklaratën e saj.

Kur më në fund ajo arriti të arratisej në tetor 2016, çifti McAleers pajtoi një detektiv privat për ta gjetur.

Në dokumentet e gjyqit thuhet se zoti McAleer i kishte thënë gjurmuesit privat: “Disa miq më kanë thënë se e kanë parë në zonën e Sutherland me një burrë dhe dua ta lokalizosh ku është e nëse ajo po qëndron me të”.

Çifti McAleers kanë pranuar akuzat e punës së detyruar, mbajte e paligjshme e një qytetari, dëshmi të rreme, dhe kanë ofruar të paguajnë $70,000 kompensim financiar, tha avokati i tyre.

Seanca finale ku do të jepet dënimi zhvillohet më 11 qershor, ku ata përballen me një maksimum prej 10 vjet burg.

FOTO GALERI
1/4
Një grua është mbajtur si skllave për tre vjet në një shtëpi në Australi, nga një çift që e kërcënonte per te punuar per ta

Top Channel