Tragjedia e infermieres/ Mes pacientëve me Covid në reanimacion, gjen bashkëshortin!

23/04/2021 15:51

Ironi e fatit, por që epilogun e pati me fund të lumtur. Marianna Scarano, infermiere në repartin e reanimacionit në Poliklinikën e Barit, zbuloi një ditë aty të shtruar bashkëshortin e saj.

Marianna është prej nje viti në vijën e parë të frontit kundër sëmundjes me kolegët e saj. Makthi personal sakaq filloi kur i shoqi, Vincenzo u dërgua me urgjencë në spital pasi u ndje papritur keq, ndërsa niveli i oksigjenit në gjak i kishte zbritur në 93. Tamponi i doli pozitiv, dhe e çojnë me urgjencë në terapi intensive.

E shoqja nuk kishte menduar kurrë se do ta gjente aty. “Mendova se do ta intubonin, thashë se nuk do t’ia kishte dalë dot. Ishte një tmerr, megjithatë nuk hoqa dorë për asnjë çast. Nuk flija dot natën. Ishte gati e paimagjinueshme, që pas stresit të përjetuar më pacientët në të gjithë këta muaj të kaluar në repartin e terapisë intensive, të përfundoja duke bërë infermieren e një njeriu aq të dashur për mua”, ka rrëfyer ajo.

Për fat të mirë, më e keqja kaloi dhe Marianna tani thotë se mund të marrë frymë lirisht, pasi i shoqi ka dalë tashmë nga zona e rrezikut, ndërsa të dy shpresojnë ta hedhin sa më shpejt pas krahëve këtë eksperiencë të frikshme.

Top Channel