Rusia tërheq trupat nga kufiri me Ukrainën, shfaq pamje të frikshme të manovrave në Krime (video)

22/04/2021 18:05

Ministri rus i mbrojtjes Sergey Shoigu tha se sot nis rikthimi i trupave të dislokuara së fundmi në jug dhe në perëndim të vendit, duke shtuar se ato kaluan testin e gatishmërisë për luftim.

Kreu i ushtrisë shtoi se njësi të ushtrisë dhe të divizioneve ajrore ishin transferuar në zonën e kufirit të përbashkët me Ukrainën si pjesë e manovrave të panjoftuara stërvitore, të cilat shkaktuan alarm në Kiev dhe u quajtën nga mediat perëndimore si pararendëse të “një pushtimi të mundshëm”.

Shoigu tha se “objektivi i dislokimit surprizë ishte arritur, duke treguar gatishmërinë për mbrojtjen e vendit”.

Në të njëjtën ditë ministria e mbrojtjes publikoi pamje të trupave që simulonin zbarkime bregdetare në gadishullin e Krimesë dhe sulme raketore të sistemeve mbrojtëse ndaj agresorëve të mundshëm.

Në deklaratë ministria tha se manovrat “lejojnë praktikimin e zbarkimit të trupave  tejkalimit të mbrojtjeve raketore të armikut të kushtëzuar”.

Ndërkohë përplasjet e armatosura mes forcave të Ukrainës dhe ushtarëve të dy republikave separatiste në lindje janë përshkallëzuar dhe Moska ka thënë se mund të ndërhyjë për të parandaluar kriza të mundshme humanitare.

FOTO GALERI
2/3
Ministri rus i mbrojtjes Sergey Shoigu tha se sot nis rikthimi i trupave të dislokuara së fundmi në jug dhe në perëndim

Top Channel